POSTIMET E FUNDIT

Ka njerëz që luten për një kafshatë bukë, ndërsa të tjerë e ekspozojnë bollëkun për disa pëlqime

Screenshot

Nga Dashnim HEBIBI, Cyrih

Varfëria në botë nuk ekziston sepse nuk mund t’i ushqejmë të varfërit, por sepse nuk mund ta ngopim lakminë e të pasurve.”

Kjo thënie të bën të reflektosh. Nuk është fjala vetëm për pasurinë materiale, por edhe për mënyrën se si e jetojmë dhe e shfaqim atë. Jetojmë në një kohë ku rrjetet sociale janë bërë një pasqyrë e jetës sonë, por fatkeqësisht, shpesh janë shndërruar në një garë për t’u dukur më të pasur, më luksozë dhe më të suksesshëm se të tjerët. Çdo ditë shohim tavolina të mbushura me ushqime, darka të shtrenjta, pushime luksoze e një mori publikimesh që synojnë më shumë të lënë përshtypje sesa të ndajnë një moment të bukur. Sigurisht, secili është i lirë ta jetojë jetën si të dëshirojë. Askush nuk ka të drejtë t’i tregojë tjetrit se çfarë duhet të hajë, çfarë duhet të blejë apo si ta shijojë mundin e tij. Nuk është aspak problem të kesh mirëqenie, sepse ajo është fryt i punës, i sakrificës dhe mbi të gjitha, një dhuratë nga Zoti. Problemi lind kur kënaqësitë personale shndërrohen në një mjet për t’u mburrur dhe për t’i bërë të tjerët të ndihen më pak. Ndërsa dikush poston një tavolinë plot begati, diku tjetër një familje po mendon si ta sigurojë bukën e ditës. Një prind mund të mos ketë mundësi t’u plotësojë fëmijëve as nevojat më elementare. Nuk kemi faj për varfërinë e botës, por kemi përgjegjësi morale të mos harrojmë se jo të gjithë jetojnë me të njëjtat mundësi.

Pasuria e vërtetë nuk matet me atë që ekspozojmë, por me atë që ndajmë. 

Nuk matet me numrin e fotografive të ushqimit apo të luksit, por me dorën që i shtrihet dikujt në nevojë pa bërë zhurmë. Edhe dashuria nuk ka nevojë për spektakël. Ajo jeton në respektin, përkujdesjen dhe qetësinë e familjes, jo në garën për pëlqime e komente. Është e trishtueshme kur disa e ndërtojnë imazhin e tyre duke u fryrë para të tjerëve, sikur vlera e njeriut të matet me madhësinë e tavolinës apo me markën e rrobave. Kjo nuk i shërben as etikës, as edukatës dhe as shoqërisë. Përkundrazi, ushqen mendjemadhësinë, zilinë dhe një kulturë ku dukja vlen më shumë se përmbajtja. Njeriu nuk duhet ta harrojë kurrë se nga ka ardhur. Jeta ndryshon shpejt. Sot mund të jesh në mirëqenie, nesër mund të kesh nevojë për dorën e dikujt tjetër. Prandaj përulësia është virtyt, ndërsa arroganca është dobësi e maskuar si sukses.Le të jemi falënderues për çdo të mirë që kemi. Shëndeti, buka e përditshme, familja dhe mirëqenia janë bekime që nuk duhen marrë si të mirëqena. Dhe nëse kemi më shumë se sa na nevojitet, le të ndajmë me ata që kanë më pak. Një ndihmë e vogël, një fjalë e mirë apo një gjest human vlejnë shumë më tepër se çdo fotografi luksi. Në fund të fundit, jeta është e përkohshme. Askush nuk do të kujtohet për tavolinat që ka shtruar apo për luksin që ka ekspozuar, por për zemrën që ka pasur, për mirësinë që ka bërë dhe për gjurmët e mira që ka lënë te njerëzit. Le të jetojmë me dinjitet, me modesti dhe me mirënjohje. Gëzimet tona le t’i shijojmë me familjen dhe njerëzit e afërt, ndërsa me botën të ndajmë më shumë humanizëm sesa krenari. Kjo është pasuria që nuk humbet kurrë. (Foto ilustrim)

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB