POSTIMET E FUNDIT

Ansambli “TROJET” me revistën e tyre periodike – Udhëtimi kulturor nga Winterthur në Detroit, një mision që ruan identitetin shqiptar

Përgatiti: Dashnim HEBIBI

Cyrih, 27 qershor 2026 – Në zemër të mërgatës shqiptare në Zvicër, në qytetin Winterthur, për më shumë se një dekadë ka jetuar dhe vepruar me përkushtim të jashtëzakonshëm Ansambli “TROJET” me qendër në Winterthur të Zvicrës, një prej vatërave më të rëndësishme të ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare në diasporë. I lindur nga dashuria e thellë për atdheun dhe nga nevoja për të mos lejuar që identiteti kombëtar të zbehet larg trojeve amtare, ky ansambël është shndërruar në një simbol të gjallë të përkushtimit kulturor shqiptar në mërgim.

“Mërgata shqiptare, arteriet kryesore të atdheut me shekuj, iu shtua edhe një revistë e kësaj here periodike që të mbeten të përjetshme aktivitetet e tyre dhe të lëmë gjurmë. Ansambli ‘TROJET’ në Winterthur, me më shumë se një dekadë nuk është ndalur për të mirën e kombit, duke ruajtur gjuhën dhe traditat tona përmes këngës dhe valleve shqipe. Ansambli ‘TROJET’ është i njohur me sukseset e tij në programe të shumta dhe festivale dhe kësaj here më 2 korrik do të jetë në SHBA, në Detroit, ku do të marrë pjesë në festivalin që ka të bëjë me lahutën shqiptare.”

Në këtë rrugëtim të ri artistik dhe kombëtar, Ansambli “TROJET” sjell jo vetëm artin e tij skenik, por edhe një vlerë të re të rëndësishme kulturore: revistën e tij periodike, e cila shërben si dëshmi e gjallë e punës, përkushtimit dhe misionit të tij në ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.

Një ansambël që ka kthyer artin në mision kombëtar

Për më shumë se 13 vite, Ansambli “TROJET” ka qenë një institucion i vërtetë kulturor në mërgatën shqiptare të Zvicrës. I përbërë nga fëmijë, të rinj dhe të rritur, ai ka ndërtuar një strukturë të qëndrueshme artistike dhe edukative, ku përveç vallëzimit dhe këngës, kultivohet edhe dashuria për gjuhën, historinë dhe traditat shqiptare. Në çdo paraqitje të tij, “TROJET” ka dëshmuar se arti folklorik nuk është vetëm shfaqje skenike, por një formë e fuqishme e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe një urë që lidh brezat me rrënjët e tyre.

Revista periodike – një trashëgimi që do të jetojë përgjithmonë

Revista periodike e Ansamblit Kulturor Artistik “TROJET” është një projekt i veçantë kulturor me rëndësi të madhe për mërgatën shqiptare. Ajo është konceptuar jo vetëm si një botim informues, por si një dokument historik dhe kulturor që do të mbetet gjurmë e përhershme e veprimtarisë së ansamblit.

Revista është:

  • me 40 faqe,
  • e gjithë në ngjyra (kollor),
  • botim periodik i Ansamblit “TROJET”.

Ajo është:

  • Kryeredaktor: PhD. Dashnim HEBIBI
  • Botues: Ansambli “TROJET”
  • Shtypur në Shtëpinë Botuese “FAB Advertising”, Pejë me editor Berat Thaçi

Numri i parë- themeltar i revistës i Ansamblit “Trojet” ( Foto nga Dea HEBIBI)

Ky numër i parë i revistës përqendrohet kryesisht në historikun e Ansamblit “TROJET” dhe në pjesëmarrjen e tij në Festivalin e 35-të Shqiptar “Lahuta” në Detroit. Revista është ndërtuar me kujdes të veçantë dhe me përmbajtje që reflekton rrugëtimin artistik, kulturor dhe kombëtar të ansamblit ndër vite. Ajo do të jetojë përgjithmonë, sepse do të mbetet si një dëshmi e shkruar e një kohe, një pune dhe një misioni që nuk shuhet. Në çdo faqe të saj është e skalitur dashuria për kulturën shqiptare dhe përkushtimi i brezave që e mbajnë gjallë atë. Në numrat e ardhshëm të revistës do të trajtohen edhe tema të ndryshme dhe shumë interesante që kanë për qëllim të frymëzojnë të rinjtë shqiptarë në diasporë, që të angazhohen në ansamble kulturore, të ruajnë identitetin e tyre dhe të kontribuojnë për të mirën e tyre dhe të kombit shqiptar.

Falënderimet e kryetarit Zeqë Gashi

Kryetari i Ansamblit “TROJET”, z. Zeqë Gashi, ka shprehur mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e kësaj reviste. Ai ka falënderuar veçanërisht kryeredaktorin PhD. Dashnim HEBIBI, për punën e tij profesionale dhe të përkushtuar, e cila është realizuar pa asnjë honorar, vetëm me dashuri dhe përkushtim për kulturën shqiptare.

Po ashtu, ai ka falënderuar:

  • të gjithë anëtarët e kryesisë së ansamblit,
  • valltarët dhe anëtarët e grupit artistik,
  • sponsorët dhe mbështetësit e ndryshëm,
  • si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar me shkrime, mesazhe dhe fjalë të mira në numrin themeltar të revistës.

Sipas tij, kjo revistë është rezultat i një bashkimi të madh vullnetesh dhe dashurie për kulturën shqiptare, dhe dëshmi se kur shqiptarët bashkohen, krijojnë vlera të qëndrueshme dhe të paharrueshme.

Udhëtimi drejt Detroitit – një ngjarje me peshë kombëtare

Më 2 korrik, Ansambli “TROJET” do të jenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Festivalin e 35-të Shqiptar “Lahuta”, që mbahet më 2, 3, 4 dhe 5 korrik në Detroit. Ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në diasporë, ku bashkohen grupe artistike nga e gjithë bota shqiptare për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore.

Programi artistik në festival

Në skenën e Detroitit, Ansambli “TROJET” do të paraqitet me një program të pasur artistik. Një vend të veçantë do të zërë lahutari i njohur Shaqir Demaj, i cili do të interpretojë këngët e kreshnikëve, duke sjellë jehonën e epikës shqiptare dhe traditën e lashtë të lahutës. Grupi i valltarëve do të prezantojë valle nga treva të ndryshme shqiptare, duke shpalosur pasurinë e folklorit tonë kombëtar, ndërsa kostumet tradicionale do të pasqyrojnë trashëgiminë e pasur etnografike shqiptare, përfshirë edhe xhubletën.

Një urë që bashkon shqiptarët kudo në botë

Pjesëmarrja e Ansamblit “TROJET” në këtë festival dhe botimi i revistës së tij periodike përbëjnë një urë të fuqishme kulturore mes shqiptarëve të Evropës dhe atyre në Amerikë. Ky bashkim shpirtëror dhe artistik dëshmon se shqiptarët, pavarësisht largësisë, mbeten të lidhur nga gjuha, kultura dhe dashuria për atdheun. Ansambli “TROJET” me revistën e tij periodike vjen në Detroit me një mesazh të qartë: kultura shqiptare është e përjetshme kur ruhet me dashuri, përkushtim dhe sakrificë.

“Trojet nuk janë vetëm vendlindje, por kujtesë, identitet dhe amanet brezash,” mbetet mesazhi qendror i këtij projekti kulturor.

Dhe ky amanet, i bartur nga Zvicra në Amerikë, dëshmon se shqiptarët kudo që ndodhen mbeten një trup i vetëm kulturor, i bashkuar nga kënga, vallja dhe dashuria për trojet e tyre.

HISTORIKU I ANSAMBLIT KULTUROR “TROJET”

13 Vite në Shërbim të Kulturës, Traditës dhe Identitetit Kombëtar

Ka histori që maten me vite dhe ka histori që maten me gjurmët që lënë pas. Historia e Ansamblit Kulturor “TROJET” i përket kësaj të dytës. Ajo nuk është thjesht historia e një ansambli, por historia e qindra fëmijëve, të rinjve, prindërve, artistëve dhe veprimtarëve që për më shumë se një dekadë kanë investuar zemrën, kohën dhe përkushtimin e tyre për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë. Më 17 prill 2013, në Winterthur të Zvicrës, lindi një ide që do të shndërrohej në një nga organizimet kulturore më të rëndësishme shqiptare në mërgatë. Fillimisht si degë e Ansamblit “VATRA” në Bülach, kjo nismë u ndërmor nga Zeqë Gashi dhe Blearta Gashi-Shala, me mbështetjen e kryesisë së Ansamblit “VATRA”, të kryetarit të atëhershëm Nexhmedin Isufi dhe me kontributin artistik të Arsim Berishës. Po atë ditë u organizua audicioni i parë. Vetëm 16 fëmijë dhe disa prindër hodhën hapat e parë të një rrugëtimi që askush nuk mund ta parashikonte se do të rritej në këto përmasa. Me pak mjete, por me shumë vullnet, dashuri dhe besim, filloi ndërtimi i një familjeje artistike që sot përfaqëson krenari për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë. Një moment historik për këtë rrugëtim ishte data 31 tetor 2014, kur kryesitë e Ansamblit “VATRA” në Bülach dhe degës së Winterthurit vendosën në mënyrë të përbashkët pavarësimin e degës së Winterthurit, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi dhe mbështetjeje të ndërsjellë.

Screenshot



Më 7 nëntor 2014, në mbledhjen e kryesisë së ngushtë, u mor vendimi historik për emërtimin e ansamblit me emrin “TROJET”. Ky vendim u votua unanimisht nga anëtarët e kryesisë së atëhershme: Zeqë Gashi, Blerim Bunjaku, Arsim Berisha, Petrit Bytyqi, Blearta Gashi-Shala, Fazli Zuzaku dhe Xhevdet Jahiri.

Emri “TROJET” simbolizon bashkimin shpirtëror të të gjitha trojeve shqiptare, ruajtjen e rrënjëve dhe kultivimin e identitetit kombëtar tek brezat e rinj. Ai përfaqëson lidhjen e pandërprerë mes mërgatës dhe atdheut, mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes traditës dhe brezave që vijnë. Nga ajo ditë e deri më sot, Ansambli “TROJET” ka njohur një zhvillim të vazhdueshëm. Nëpër skenat dhe aktivitetet e tij kanë kaluar mbi 500 deri në 600 anëtarë. Sot ansambli numëron mbi 120 anëtarë aktivë të organizuar në tri grupmosha: grupi i fëmijëve nga 6 deri në 12 vjeç, grupi i të rinjve nga 12 deri në 16 vjeç dhe grupi i të rriturve mbi 16 vjeç. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për një organizatë që vepron tërësisht mbi baza vullnetare. Më e rëndësishmja, gjatë këtyre viteve “TROJET” ka arritur të prekë dhe edukojë katër gjenerata shqiptarësh në diasporë. Breza që kanë mësuar jo vetëm hapat e valleve dhe këngëve, por edhe historinë, gjuhën, traditat dhe vlerat kombëtare. Veprimtaria e ansamblit nuk kufizohet vetëm në prova dhe paraqitje artistike. Gjatë viteve, “TROJET” është shndërruar në një qendër të mirëfilltë kulturore, ku organizohen koncerte, promovime librash, ekspozita arti, aktivitete edukative dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare.

Një vend të veçantë në kalendarin e ansamblit zënë dy koncertet tradicionale që organizohen çdo vit: Koncerti i 17 Shkurtit, kushtuar Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe Koncerti i 28 Nëntorit, kushtuar Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Këto aktivitete organizohen pa pagesë hyrjeje, si një akt mirënjohjeje ndaj sakrificës së popullit shqiptar dhe si mundësi që të gjithë bashkatdhetarët të festojnë së bashku pa asnjë barrierë.


Përgjatë viteve, Ansambli “TROJET” ka qenë pjesëmarrës në festivale dhe manifestime të shumta kulturore brenda dhe jashtë Zvicrës. Ndër paraqitjet më të rëndësishme mbetet pjesëmarrja në Festivalin Shqiptaro-Amerikan në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2019, ku ansambli prezantoi me krenari kulturën shqiptare para komunitetit shqiptar në Amerikë.

Një sukses i veçantë ishte pjesëmarrja në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “Ilirët Jehonë”, ku Ansambli “TROJET” u vlerësua me vendin e parë nga juria. Në të njëjtin festival, këngëtarja Marisa Murtezi fitoi çmimin për “Këngën më të Mirë”, ndërsa ansambli u vlerësua edhe me vendin e tretë për koreografi.

Në zhvillimin artistik të ansamblit kanë dhënë kontribut të rëndësishëm udhëheqësit artistikë dhe koreografët ndër vite. Kontribut të veçantë kanë dhënë Arsim Berisha dhe Suzana Drenica,  të cilët kanë ndihmuar në ndërtimin, pasurimin dhe ngritjen profesionale të repertorit artistik. Një rol të pazëvendësueshëm kanë pasur korepetitorët dhe udhëheqësit artistikë , në vitet a para ka dhën kontribut Blearta Gashi, vazhduar nder vite nga Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi. Ata kanë qenë ndër shtyllat kryesore të punës artistike, duke kontribuar në ruajtjen e valleve tradicionale, krijimin e koreografive të reja dhe edukimin artistik të brezave të rinj. Përkrah tyre kanë vepruar edhe asistentët artistikë Betim Haziri, Erion Morina, Arbnora Tahiri, Melisa Tafilaj, Emira Xhemali, Anjeza Musliu dhe Enesa Shala, të cilët kanë ndihmuar në përgatitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve artistike. Një vend të veçantë në historinë e ansamblit zë kostumografja Teuta Gashi, e cila që nga themelimi e deri më sot ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe prezantimin e kostumeve kombëtare shqiptare. Falë përkushtimit të saj, anëtarët e ansamblit janë paraqitur gjithmonë me dinjitet, elegancë dhe autenticitet, duke reflektuar pasurinë dhe larminë e kostumeve tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare.

Një kapitull i veçantë i historisë së “TROJEVE” janë edhe solistët dhe interpretuesit e tij. Lahutisti i njohur Baca Shaqë ka sjellë në skenë frymën e epikës shqiptare dhe këngëve kreshnike, ndërsa këngëtaret Marisa Murtezi dhe Eliza Zeqiri kanë lënë gjurmë me interpretimet e tyre artistike. Po ashtu, shumë recitues dhe interpretues të monologëve kanë pasuruar programet artistike të ansamblit ndër vite.

Gjatë këtyre viteve, Ansambli “TROJET” ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë, institucionet zvicerane, LAPSH-in, shoqata dhe ansamble të shumta shqiptare në Zvicër, Evropë dhe më gjerë. Bashkëpunime të veçanta janë realizuar me Ansamblin “VATRA”, Ansamblin “DRITA”, si dhe me shumë organizata kulturore shqiptare. Në skenën e “TROJEVE” kanë performuar dhe kanë kontribuar artistë të njohur si Shyhrete Behluli, Mahmut Ferati, Vjollca Buqaj, Violeta Kajtazi, Motrat Mustafa, Pandora, Kori i Grave “Lyra”, Luljeta dhe Drita Fetahu, Xhemail Murtishi, Gentjana Tafili, Mentor Mushkolaj, Arbnor dhe Rezarta Kuqi, Ismet Krasniqi, Ramadan Morina, Bexhet Sallau, Shqipdon Lipaj, Liridon Përvorrfi dhe shumë artistë e veprimtarë të tjerë, të cilët kanë kontribuar në madhështimin e skenës së “TROJEVE”. Pas çdo suksesi artistik qëndron një organizim serioz dhe i përkushtuar. Për këtë arsye, mirënjohje e veçantë i takon kryesisë së ansamblit, e cila ndër vite ka bartur përgjegjësinë e zhvillimit dhe menaxhimit të veprimtarisë së tij.



Në këtë rrugëtim kanë kontribuar Blearta Gashi-Shala, Blerim Bunjaku, Zeqë Gashi, Arsim Berisha, Taip Zeqiri, Petrit Bytyqi, Xhevdet Jahiri, Fazli Zuzaku, Blerim Qollaku, Merita Pajaziti, Hami Xhemali, Bubekir Morina, Albulena Gjota, Donjeta Gashi, Ensar Morina, Leotrim Gashi, Bedri Krasniqi, Nasuf Salihu dhe Arben Lahu.

Kryesia aktuale përbëhet nga Blearta Gashi-Shala, Blerim Bunjaku, Zeqë Gashi, Taip Zeqiri, Albulena Gjota, Bubekir Morina, Donjeta Gashi, Ensar Morina, Leotrim Gashi, Bedri Krasniqi, Nasuf Salihu dhe Arben Lahu, të cilët vazhdojnë me përkushtim misionin e ansamblit.

Po aq i rëndësishëm është edhe grupi organizativ i ansamblit, i përbërë nga prindër dhe veprimtarë të përkushtuar që mbulojnë logjistikën, transportin, organizimin e aktiviteteve, kostumografinë dhe shumë procese të tjera pa të cilat veprimtaria e ansamblit nuk do të ishte e mundur. Një vend nderi në këtë histori zë Forumi i Gruas, i udhëhequr nga Sherife Zeqiri, Shaha Shabani dhe Shqipe Salihu. Ky forum ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme në organizimin e aktiviteteve, në forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe në krijimin e një ambienti familjar brenda ansamblit. Mirënjohja më e madhe u takon prindërve. Ata kanë qenë dhe mbeten shtylla më e fortë e Ansamblit “TROJET”. Me përkushtimin, sakrificën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme, ata kanë bërë të mundur që qindra fëmijë shqiptarë të rriten duke njohur dhe dashur kulturën e tyre. Falënderim u takon edhe atyre prindërve që kanë kontribuar ndër vite dhe sot nuk janë më aktivë, sepse kontributi i tyre mbetet pjesë e pandashme e historisë së ansamblit.

Një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe mediat shqiptare, të cilat kanë dokumentuar dhe promovuar veprimtarinë e “TROJEVE”. HelveticALForum.ch, Albinfo.ch, Bota Sot, Gazeta Dielli, RTK, RTSH, AlbRadio, open-tv.mk dhe shumë media të tjera kanë qenë zëri që ka përcjellë sukseset e ansamblit tek publiku shqiptar anembanë botës. Po ashtu, mbështetja e sponsorëve ka qenë vendimtare për zhvillimin dhe vazhdimësinë e aktiviteteve. Mirënjohje e veçantë u takon SPITEX WINTICARE GmbH dhe Sidora AG, të cilët kanë besuar dhe investuar në këtë mision kulturor. Pas 13 vitesh veprimtari, Ansambli Kulturor “TROJET” është shumë më tepër se një ansambël vallesh dhe këngësh. Ai është një institucion kulturor i diasporës shqiptare, një shkollë e identitetit kombëtar, një urë që lidh brezat dhe një dëshmi e gjallë se kultura shqiptare mund të ruhet, të zhvillohet dhe të përcillet me sukses edhe larg atdheut.

Historia e “TROJEVE” vazhdon të shkruhet çdo ditë. Në çdo provë, në çdo koncert, në çdo këngë e valle shqiptare që jehon në skenë, jeton misioni i tij fisnik: ruajtja dhe përcjellja e gjuhës, kulturës, traditës dhe atdhedashurisë tek brezat e rinj.

Ky është rrugëtimi i “TROJEVE”.

Një rrugëtim i nisur me një ëndërr.

Një rrugëtim i ndërtuar me sakrificë.

Një rrugëtim që vazhdon me krenari.

Sepse identiteti nuk trashëgohet vetvetiu. Ai mësohet, kultivohet dhe përcillet nga brezi në brez. Pikërisht këtë mision ka përmbushur Ansambli Kulturor “TROJET” për më shumë se trembëdhjetë vjet dhe me të njëjtin përkushtim do ta vazhdojë edhe në të ardhmen.
 

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB