POSTIMET E FUNDIT

Zvicër: Vala ekstreme e të nxehtit sjell temperatura deri në 38°C, mbyllen kantieret dhe ndalohen zjarret në pyje

ZVICËR – Vala e fortë e të nxehtit po godet sërish Zvicrën, ku gjatë fundjavës temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Autoritetet kanë marrë masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e zjarreve, transmeton 20min.ch. Në kantonin e Gjenevës, Inspektorati i Punës urdhëroi ndërprerjen e të gjitha punimeve në ambiente të hapura dhe nën rrezet e diellit. Si pasojë, kantieret e ndërtimit u mbyllën nga ora 13:00 e së premtes. Mes tyre është edhe kantieri i madh i kompanisë Rolex në Bulle, një nga projektet më të mëdha të ndërtimit në pjesën frankofone të Zvicrës. Sindikata Unia theksoi se punëtorët ishin të ekspozuar ndaj stresit ekstrem nga nxehtësia, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë zbatimin rigoroz të masave mbrojtëse dhe do të ndalojë punën në çdo rast kur rrezikohet shëndeti i punëtorëve. Ndërkohë, për shkak të thatësirës së vazhdueshme dhe rrezikut të lartë nga zjarret, kantoni i Cyrihut ka shpallur ndalim të ndezjes së zjarreve në pyje dhe deri në 50 metra nga kufiri i tyre. Ndalimi përfshin edhe vendet zyrtare të piknikut, skarat me qymyr dhe hedhjen e cigareve apo shkrepëseve të ndezura.

Edhe kantoni i Graubündenit ka vendosur ndalim absolut të zjarreve në ambiente të hapura në disa rajone, për shkak të kushteve jashtëzakonisht të thata. Sipas parashikimeve meteorologjike, e shtuna do të jetë kryesisht me diell, ndërsa pasdite në zonat malore priten stuhi lokale të shkaktuara nga nxehtësia, të cilat mund të shoqërohen me erëra të forta. Temperaturat do të luhaten nga 35 deri në 38 gradë Celsius. Edhe dita e diel do të nisë me mot të kthjellët, por gjatë pasdites dhe mbrëmjes priten reshje shiu dhe stuhi, të cilat në disa zona mund të jenë të forta dhe të shoqërohen me erëra të fuqishme dhe reshje intensive.

Temperaturat maksimale do të mbeten shumë të larta, nga 33 deri në 36 gradë Celsius. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar shpërthimin e zjarreve, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB