POSTIMET E FUNDIT

Zvicër: Pse shumë qytetarë vazhdojnë t’i shmangen klimave, edhe në vapën ekstreme?

Edhe pse verat në Zvicër po bëhen gjithnjë e më të nxehta dhe kërkesa për pajisje klimatizimi është rritur ndjeshëm, shumica e familjeve zvicerane ende zgjedhin të jetojnë pa klimë. Sipas të dhënave, vetëm rreth 10 për qind e amvisërive në vend kanë të instaluar një pajisje klimatizimi, transmeton 20min.ch, përcjell hevleticALForum.ch. Psikologu social dhe ekonomik Christian Fichter, nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Kalaidos, thotë se arsyeja kryesore nuk është kostoja apo konsumi i energjisë, por mënyra se si perceptohen klimaanlagat në shoqërinë zvicerane.

Sipas tij, ngrohja gjatë dimrit konsiderohet një nevojë e domosdoshme, ndërsa ftohja gjatë verës shihet ende si luks apo shenjë komoditeti të tepruar. “Askush nuk e vë në dyshim përdorimin e ngrohjes në dimër, por ulja e temperaturës në dhomën e gjumit gjatë gushtit nga 28 në 23 gradë shpesh konsiderohet dekadencë”, thekson Fichter.

Ai vlerëson se në Zvicër ekziston edhe një fenomen social, ku refuzimi për të përdorur klimën shërben si një mesazh moral për mbrojtjen e mjedisit. “Shprehja ‘Unë nuk kam nevojë për klimë’ është më shumë një deklaratë vlerash sesa një fakt teknik”, thotë ai.

Megjithatë, psikologu paralajmëron se ky qëndrim mund të ketë pasoja për shëndetin, sidomos gjatë valëve të të nxehtit. Mungesa e gjumit, ulja e përqendrimit dhe rreziku për të moshuarit apo personat me probleme shëndetësore janë ndër pasojat që lidhen me temperaturat e larta.

Sipas Fichterit, valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit po ndryshojnë gradualisht perceptimin e qytetarëve. Klimatizimi nuk shihet më vetëm si luks, por gjithnjë e më shumë si një mjet për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies.

Ai vëren gjithashtu dallime mes brezave. Të moshuarit shpesh thonë se “edhe më parë jetohej pa klimë”, ndërsa të rinjtë, ndonëse më të ndërgjegjshëm për klimën, kanë pritshmëri më të larta për komoditet. Kjo, sipas tij, po sjell një ndryshim të ngadaltë në mentalitet.

“Në Zvicër njerëzit nuk djersiten nga nevoja, por nga bindja. Megjithatë, kjo po fillon të ndryshojë”, përfundon psikologu Christian Fichter, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB