POSTIMET E FUNDIT

Në Cyrih promovohet libri “Drejtësia pa Llogaridhënie”, një thirrje për debat mbi drejtësinë dhe të vërtetën

Cyrih, 14 qershor 2026 – Në një atmosferë të ngrohtë dhe me pjesëmarrje të gjerë të bashkatdhetarëve, intelektualëve, veprimtarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, u promovua libri “DREJTËSIA PA LLOGARIDHËNIE – Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë”, i autorit Ibish Neziri. Aktiviteti u organizua nga Shoqata PARANDALO në sallën e GZ Seebach në Cyrih, duke shënuar një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe intelektuale për komunitetin shqiptar në Zvicër. Promovimi u hap dhe u moderua nga Fatmir Salihu, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësoi rëndësinë e trajtimit të temave që lidhen me drejtësinë, historinë e afërt dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve. Në panelin e diskutimit morën pjesë recensenti i veprës, Mr. sc. Bedri Zyberaj, Dr. Xhevat Hasani dhe vetë autori Ibish Neziri. Gjatë fjalimeve të tyre, panelistët ndanë vlerësime për librin, duke theksuar se ai paraqet një analizë të argumentuar dhe të detajuar mbi Raportin e Dick Marty-t, themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara, si dhe mbi proceset gjyqësore që kanë pasuar pas tyre. Sipas diskutuesve, libri ngre pyetje të rëndësishme mbi konceptin e drejtësisë dhe llogaridhënies, duke trajtuar çështje që vazhdojnë të jenë objekt debatesh në opinionin publik shqiptar. U theksua se autori ka ndërmarrë një punë të gjerë hulumtuese dhe analitike për të paraqitur këndvështrimin e tij lidhur me ndikimin që Raporti Marty dhe institucionet e krijuara pas tij kanë pasur në trajtimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell helveticALForum.ch.

Me praninë e tyre, promovimin e nderuan z. Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, znj. Shukrije Ramadani, këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe bashkëshortja e dëshmorit Agim Ramadani, imami Fahredin Bunjaku, si dhe shumë shkrimtarë, mjekë, veprimtarë të çështjes kombëtare, miq të autorit dhe anëtarë të Shoqatës PARANDALO.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe ngritën çështjen e llogaridhënies institucionale, duke argumentuar se drejtësia duhet të jetë e barabartë, transparente dhe e përgjegjshme ndaj standardeve ndërkombëtare. Në këtë kontekst, libri u cilësua si një kontribut i rëndësishëm në nxitjen e debatit publik dhe akademik mbi këto tema. Autori Ibish Neziri falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe interesimin e treguar ndaj veprës së tij, duke theksuar se qëllimi i librit është të nxisë reflektim dhe diskutim të argumentuar mbi procese që kanë ndikuar në jetën politike, juridike dhe shoqërore të Kosovës.

Një moment i veçantë i aktivitetit ishte interpretimi muzikor nga pianistja Lumbardha Klinaku, e cila me performancën e saj i dha promovimit një dimension artistik dhe emocional, duke e bërë ngjarjen edhe më të veçantë për të pranishmit. Në përmbyllje të aktivitetit, fjalën e mori z. Xhemal Selimi, themelues i Shoqatës PARANDALO dhe i plagosur i luftës, i cili ndau me të pranishmit reflektime mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerësimit të sakrificës për liri. Ai theksoi se vlerat e luftës çlirimtare duhet të ruhen dhe të mbrohen nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Pas pjesës zyrtare, të ftuarit u bashkuan në koktejin e organizuar nga vullnetarët e Shoqatës PARANDALO, ku patën mundësinë të vazhdonin diskutimet, të shkëmbenin mendime dhe të krijonin ura të reja bashkëpunimi në një atmosferë miqësore dhe bashkëvëllazërore. Organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për Kadrush Sinanajn, anëtar i Shoqatës PARANDALO dhe punonjës në GZ Seebach, për kontributin dhe mbështetjen e dhënë në realizimin e aktivitetit. Njëkohësisht, falënderime iu adresuan të gjithë atyre që kontribuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e promovimit, si dhe pjesëmarrësve që me praninë e tyre e bënë këtë ngjarje një sukses të veçantë. Promovimi i librit “Drejtësia pa Llogaridhënie” dëshmoi edhe një herë interesimin e madh të komunitetit shqiptar në diasporë për çështjet që lidhen me historinë, drejtësinë dhe të ardhmen e Kosovës, duke e shndërruar këtë ngjarje në një platformë të rëndësishme reflektimi dhe debati qytetar, transmeton shoqata Parandalo, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB