POSTIMET E FUNDIT

Suedia “shpartallon” Tunizinë, paralajmëron rivalët në Botërorin 2026

Suedia e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar bindshëm 5-1 ndaj Tunizisë në ndeshjen hapëse të Grupit F.

Skuadra e drejtuar nga Graham Potter konfirmoi ambiciet e saj që në takimin e parë, duke dominuar kundërshtarin dhe duke regjistruar fitoren e pestë radhazi pa humbje në ndeshjet debutuese të Botërorëve.

Suedezët kaluan në epërsi në minutat e para pas një gabimi të portierit tunizian Mouhib Chamakh. Pas një topi të gjatë nga Victor Lindelöf, Viktor Gyökeres nuk arriti të finalizonte në tentativën e parë, por Yasin Ayari përfitoi nga rrëmuja në zonë dhe realizoi nga distanca në portën e boshatisur për 1-0.

Pak minuta më vonë, Suedia dyfishoi rezultatin. Alexander Isak u shërbye bukur nga Gyökeres dhe, i vetëm përballë portierit, nuk gaboi duke e çuar rezultatin në 2-0.

Tunizia reagoi para pushimit dhe riktheu shpresat falë Omar Rekik, i cili shënoi me kokë pas një asistimi të saktë të Hannibal Mejbrit, duke ngushtuar diferencën në 2-1.

Megjithatë, pjesa e dytë ishte tërësisht nën kontrollin e suedezëve. Në minutën e 60-të, një gabim i kapitenit tunizian Ellyes Skhiri u shfrytëzua nga Isak, i cili asistoi për Viktor Gyökeres. Sulmuesi në superformë realizoi golin e tretë të Suedisë dhe të 15-in në 16 ndeshjet e fundit me kombëtaren.

Në vazhdim, Mattias Svanberg realizoi golin e katërt pas një aksioni të bukur kolektiv, ndërsa Yasin Ayari vulosi fitoren spektakolare me golin e tij të dytë personal dhe të pestin për Suedinë, me një goditje të fuqishme nga distanca.

Me këtë sukses të madh, Suedia merr kryesimin e Grupit F dhe fiton besim para përballjes së fortë ndaj Holandës në xhiron e ardhshme. Në anën tjetër, Tunizia e nis me humbje rrugëtimin në Botëror dhe tashmë do të kërkojë reagim në sfidën kundër Japonisë, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB