Shkruan: don Anton UKA
Udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Zvicrën Qendrore
Të dashur vëllezër dhe motra,
Rezultati i referendumit në Zvicër, me refuzimin e iniciativës “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”, është një moment që na fton të gjithëve në reflektim.
Ky vendim dëshmon edhe një herë forcën e demokracisë zvicerane dhe të kulturës politike evropiane: aftësinë për të debatuar lirisht, për të marrë vendime me përgjegjësi dhe për të kërkuar zgjidhje të mençura, pa rënë pre e emocioneve të frikës që shpesh çojnë drejt mbylljes dhe izolimit.
Por kjo liri dhe kjo hapje nuk duhet kuptuar kurrë si dobësi.
Demokracia evropiane është një vlerë e madhe, e ndërtuar mbi një filozofi dhe etikë që mbështetet në respektin për dinjitetin njerëzor, mbi rendin shoqëror dhe mbi përgjegjësinë morale e politike. Por kur liria dhe demokracia shkëputen nga përgjegjësia dhe nga rendi i përbashkët, pasojat mund të jenë të rënda: dobësohet besimi, rritet pasiguria dhe forcohen zërat që ushqehen nga ndarja dhe frika.
Por çdo referendum i tillë zgjon edhe dinamika të thella psiko-shpirtërore, të cilat shpesh mbeten të padukshme.
Për shumë njerëz, veçanërisht për emigrantët, mund të lindin pyetje dhe pasiguri mjaft të natyrshme: A jemi vërtet të pranuar si pjesë e kësaj shoqërie? A kemi vend dhe të ardhme këtu? A po ndryshon mënyra se si na sheh dhe na kupton kjo shoqëri? A do të mund ta ruajmë dinjitetin, identitetin dhe rolin tonë në këtë realitet të ri?
Këto pyetje janë njerëzore dhe kërkojnë pjekuri në mënyrën se si përballohen. Pikërisht në këto momente, njeriu ka nevojë për më shumë kthjelltësi, më shumë urtësi dhe më shumë rrënjë të forta shpirtërore e kulturore.
Për ne shqiptarët që jetojmë në Zvicër, ky referendum është një kujtesë e rëndësishme.
Ne kemi ardhur në këtë vend dhe kemi ndërtuar jetën tonë këtu me punë, me sakrificë dhe me dinjitet. Kemi fituar respekt dhe kemi krijuar një emër të mirë. Ky është një besim i fituar, që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.
Por për ta ruajtur këtë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara.
Një nga këto sfida është rreziku që ideologji dhe forma të huaja ekstremizmi të gjejnë hapësirë brenda komunitetit tonë. Kjo ndodh pikërisht atëherë kur humbet lidhja me traditën tonë të matur, me kulturën tonë të bashkëjetesës dhe me vlerat që historikisht na kanë mbajtur të bashkuar.
Dhe këtu duhet ta kuptojmë një të vërtetë të rëndësishme: Evropa nuk ka nevojë për njerëz pa identitet, as për komunitete me identitet të luhatshëm. Evropa respekton dhe vlerëson ata që dinë kush janë, që ruajnë rrënjët e tyre dhe që ndërtojnë mbi to me dinjitet. Integrimi i vërtetë nuk kërkon humbje të identitetit, por pjekuri për ta jetuar atë në harmoni me të tjerët.
Kur mendësitë e mbyllura zëvendësojnë kulturën e dialogut, kur ndarja zë vendin e afërsisë dhe kur skajet fillojnë të paraqiten si rrugë, atëherë rrezikohet jo vetëm integrimi ynë, por edhe imazhi ynë si komunitet.
Ekstremizmi, i kuptuar si një formë mendimi apo veprimi që absolutizon një ide ose bindje deri në atë pikë sa cenon të drejtën, dinjitetin, lirinë dhe hapësirën e tjetrit, nuk ndërton – ai ndan.
Nuk afron – ai largon.
Nuk forcon identitetin – ai e deformon atë.
Sepse identiteti i vërtetë nuk rritet në skaje, por në ekuilibër, në urtësi dhe në bashkëjetesë. Dhe ne, si shqiptarë, historikisht nuk kemi qenë popull i skajeve, por popull i qëndresës, i urtësisë dhe i lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. Le të mos harrojmë se, në thellësinë e saj, vetë demokracia evropiane mbart edhe gjurmë të qarta të kontributit shqiptar – në kulturën e bashkëjetesës, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe në qëndresën për liri.
Forca jonë ka qenë gjithmonë te vlerat që na kanë mbajtur gjallë ndër shekuj: familja, besa, puna, respekti, nderi dhe aftësia për të jetuar së bashku edhe në dallime.
Prandaj sot dua t’ju bëj një thirrje të sinqertë:
Mos lejoni që pasiguria t’ju largojë nga njëri-tjetri.
Mos lejoni që ideologjitë e huaja të zëvendësojnë urtësinë e traditës sonë.
Mos lejoni që liria e kësaj shoqërie të keqkuptohet si dobësi.
Mos kini frikë të kujdeseni për rrënjët tuaja dhe t’i ujisni ato pandërprerë me kulturën tonë, me traditën tonë dhe me gjuhën tonë të shenjtë shqipe.
Sepse një popull që i harron rrënjët e veta humbet drejtimin, dobëson vetveten dhe e ka më të vështirë integrimin; ndërsa një popull që i ruan dhe i ushqen ato, gjen forcën për të qëndruar edhe në kohët më të vështira.
Pikërisht për këtë arsye, më 27 qershor, në Emmen-Luzern, në ora 19:30, në mbrëmjen kulturore “Gjurmëve të rrënjëve tona”, do të mblidhemi së bashku me personalitete shqiptare nga fusha të ndryshme për të reflektuar mbi identitetin tonë, mbi rrënjët tona dhe mbi rrugën tonë përpara.
Ju ftoj të vini – jo vetëm për të dëgjuar, por për të menduar bashkë, për të folur bashkë dhe për të forcuar atë që na mban të bashkuar.
Sepse, në fund, e ardhmja jonë në këtë vend nuk do të varet vetëm nga vendimet politike që merren, por mbi të gjitha nga mënyra se si ne zgjedhim të jetojmë, të ruajmë vlerat tona dhe të ndërtojmë së bashku të nesërmen tonë.
Nëse qëndrojmë të bashkuar në vlera, të fortë në shpirt, të kthjellët në mendje dhe të hapur në zemër, atëherë jo vetëm që do të integrohemi me dinjitet, por do të ruajmë emrin tonë, do të mbrojmë rrënjët tona dhe do t’u lëmë brezave që vijnë një rrugë më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzore.




