Cyrih, 13 qershor 2026 – Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih u zhvillua një takim i rëndësishëm rrjetëzimi dhe bashkëpunimi biznesor ndërmjet kompanive nga Kosova dhe përfaqësuesve të bizneseve të mërgatës shqiptare në Zvicër. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (Wood Cluster), duke synuar forcimin e lidhjeve ekonomike mes Kosovës dhe diasporës shqiptare, si dhe krijimin e mundësive të reja për investime dhe partneritete afatgjata. Takimi mblodhi në një platformë të përbashkët përfaqësues të 12 kompanive nga Kosova, të cilat prezantuan kapacitetet e tyre prodhuese, potencialin eksportues dhe mundësitë e bashkëpunimit me tregun zviceran. Në të njëjtën kohë, biznesmenë dhe sipërmarrës shqiptarë të suksesshëm në Zvicër ndanë përvojat e tyre, sfidat dhe mundësitë që ofron tregu zviceran për produktet dhe shërbimet që vijnë nga Kosova.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte pjesëmarrja e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari-Lila, e cila në fjalën e saj theksoi se diaspora shqiptare vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ajo vlerësoi rolin e bizneseve të mërgatës në promovimin e produkteve dhe shërbimeve kosovare në tregjet ndërkombëtare, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat në Kosovë dhe komunitetit të biznesit në Zvicër mund të krijojë mundësi të reja për investime, transferim të njohurive dhe rritje të konkurrueshmërisë së ekonomisë kosovare. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Drejtorja Ekzekutive e Wood Cluster SHPDK, znj. Arieta Pozhegu, e cila prezantoi zhvillimet dhe potencialin e sektorit të përpunimit të drurit në Kosovë. Ajo theksoi se industria e drurit është një nga sektorët me perspektivën më të madhe eksportuese në vend dhe se lidhja e drejtpërdrejtë me rrjetet e biznesit në diasporë është një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të tregjeve dhe rritjes së bashkëpunimit ndërkombëtar. Po ashtu, të pranishmit u adresuan edhe nga z. Jetmir Bakija nga Caritas Switzerland në Kosovë, i cili foli për rëndësinë e projekteve që mbështesin zhvillimin e sektorit privat, fuqizimin e ndërmarrjeve vendore dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve evropiane. Gjatë takimit u zhvilluan diskutime të hapura dhe takime të drejtpërdrejta biznes-me-biznes (B2B), ku pjesëmarrësit patën mundësinë të identifikojnë fusha konkrete bashkëpunimi, të shkëmbejnë kontakte profesionale dhe të shqyrtojnë mundësi të reja investimi. Këto takime krijuan një atmosferë pozitive dhe konstruktive, duke dëshmuar interesimin e ndërsjellë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe diasporës shqiptare në Zvicër.
Sipas njoftimit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, aktiviteti u vlerësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të një rrjeti më të fuqishëm biznesor ndërmjet kompanive kosovare dhe sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër. Ngjarja konfirmoi edhe një herë potencialin e madh që përfaqëson diaspora shqiptare si urë lidhëse ndërmjet ekonomisë së Kosovës dhe tregjeve ndërkombëtare. Përmes iniciativave të tilla, synohet jo vetëm rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, por edhe ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme që kontribuojnë në zhvillimin afatgjatë ekonomik të Kosovës, njofton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, transmeton helveticALForum.ch.




