Tenori i njohur kosovar, Rame Lahaj, ka njoftuar se koncerti “Rame Lahaj and Friends”, i cili do të mbahet në Shkodër, do të jetë falas për publikun, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë ngjarje muzikore.
Përmes një mesazhi drejtuar publikut, Lahaj bëri të ditur se ka pranuar shumë pyetje lidhur me biletat e koncertit, duke sqaruar se aktiviteti ofrohet pa pagesë nga Bashkia e Shkodrës.
“Ky koncert ofrohet falas nga Bashkia për qytetarët e saj, andaj merrni më të dashurit tuaj me vete dhe hajdeni pak më herët, që me xanë vendet”, ka thënë ai.
Lahaj shprehu emocionet për rikthimin në qytetin verior, të cilin e cilësoi si një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
“Shkodra asht djepi i kulturës dhe i artistëve të kombit, andaj vij me respektin ma të madh”, ka thënë ai.
Në fund të mesazhit, ai përshëndeti publikun nga Prishtina dhe shprehu padurimin për t’u takuar së shpejti me adhuruesit e muzikës në Shkodër, transmeton rtk.




