Gjenevë – Siç njofton helveticALForum.ch, procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Republikës së Kosovës ka nisur me interesim të madh edhe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.
Qendra e votimit është hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe që nga orët e para është vërejtur prania e qytetarëve të regjistruar, të cilët po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Përmes një njoftimi zyrtar, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë ka inkurajuar të gjithë qytetarët e regjistruar që deri në orën 19:00 të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm demokratik.
Sipas informacioneve të siguruara nga helveticALForum.ch, deri në këto momente procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, të qetë dhe pa asnjë problem të raportuar.
Një faktor që po ndikon pozitivisht në pjesëmarrjen e qytetarëve është edhe moti i favorshëm. Pas disa ditësh me reshje shiu në pjesë të ndryshme të Zvicrës, dita e sotme ka sjellë kushte më të mira atmosferike, duke lehtësuar lëvizjen e bashkatdhetarëve drejt qendrave të votimit.
Pritet që gjatë gjithë ditës të vazhdojë fluksi i votuesve, ndërsa komuniteti shqiptar në Gjenevë po dëshmon edhe një herë interesimin dhe përkushtimin e tij për proceset demokratike në Republikën e Kosovës. Pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje konsiderohet një kontribut i rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe të institucioneve të Kosovës, duke reflektuar lidhjen e vazhdueshme të bashkatdhetarëve me vendlindjen dhe të ardhmen e saj, transmeton helveticALForum.ch.




