POSTIMET E FUNDIT

Shqiptarët spikasin në 40-vjetorin e Programit Ndërkombëtar të Bursave Parlamentare të Bundestagut (IPS)

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Përfaqësim dinjitoz i shqiptarëve në aktivitetin kulturor të Bundestagut gjerman

Berlin, 11 qershor 2026 – Në atmosferën festive të kremtimit të 40-vjetorit të Programit Ndërkombëtar të Bursave Parlamentare të Bundestagut (IPS), të rinjtë shqiptarë u dalluan për përfaqësimin dinjitoz të kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në zemër të Gjermanisë. Aktiviteti tradicional kulturor i IPS mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të cilët prezantuan trashëgiminë e tyre kulturore përmes interpretimeve artistike, këngëve dhe valleve tradicionale, si dhe përmes kulinarisë karakteristike të vendeve që përfaqësonin. Mbrëmja u shndërrua në një festë të vërtetë të diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkombëtar.


Shqipëria u përfaqësua me sukses nga Mikena Kamberaj, Gazmend Noli dhe Izelda Bakiasi, të cilët promovuan me krenari kulturën shqiptare dhe vlerat tona kombëtare. Ndërkohë, Kosova u përfaqësua nga Albina Rahimi, ndërsa Maqedonia e Veriut nga Arbnora Qaili nga Shkupi. Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte moderimi i aktivitetit, i cili për herë të parë iu besua dy përfaqësuesve nga i njëjti shtet. Dy të rinjtë shqiptarë, Izelda Bakiasi dhe Gazmend Noli, udhëhoqën programin me profesionalizëm të lartë, duke moderuar jo vetëm në gjuhën gjermane, por duke përdorur edhe gjuhën shqipe gjatë aktivitetit.

Ky moment u vlerësua gjerësisht nga të pranishmit dhe u konsiderua si një dëshmi e besimit, respektit dhe vlerësimit që pjesëmarrësit shqiptarë kanë fituar gjatë angazhimit të tyre në programin prestigjioz të Bundestagut. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Zëvendëspresidentja e Bundestagut, Josephine Ortleb, e cila theksoi rëndësinë e programit IPS në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e dialogut ndërkulturor dhe afrimin e të rinjve nga vende të ndryshme të botës.

Ndër personalitetet e pranishme ishte edhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela.

Ambasadori Sela, i njohur për angazhimin e tij diplomatik dhe akademik, që nga marrja e detyrës në Berlin ka punuar intensivisht për forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Paralelisht, ai ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me diplomatë të vendeve të tjera të akredituar në Gjermani, si dhe ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me mërgatën shqiptare nga të gjitha trevat. Me formimin e tij akademik dhe gradat shkencore të fituara në Vjenë të Austrisë, Ambasadori Sela vazhdon të përfaqësojë me dinjitet dhe profesionalizëm shtetin që përfaqëson, duke fituar respekt si në qarqet diplomatike ashtu edhe në mesin e komunitetit shqiptar në Gjermani.

Pjesëmarrja dhe suksesi i të rinjve shqiptarë në jubileun e 40-vjetorit të Programit IPS përbën një dëshmi të qartë të potencialit, përkushtimit dhe rolit gjithnjë në rritje të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Ky prezantim i shkëlqyer në Bundestagun gjerman mbetet një moment krenarie për të gjithë shqiptarët dhe një shembull frymëzues për brezat e rinj.

HelveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB