POSTIMET E FUNDIT

Nga Heshtja në Forcë | From Silence to Strength

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi një tryezë të rrumbullakët në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte.

Mbrëmja u hap me fjalën e mirëseardhjes së Udhëheqëses së Konsullatës së Përgjithshme, znj. Floreta Kabashi, e cila theksoi rëndësinë e vendosjes së të mbijetuarve në qendër të përpjekjeve për drejtësi, njohje dhe riparim.

Të pranishmit patën privilegjin të dëgjonin fjalën kryesore të znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar dhe Përfaqësuese e Posaçme për çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Dëshmia dhe mesazhi i saj, në mesin e diplomatëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Gjenevë, dërguan një thirrje të fuqishme: zëri i të mbijetuarve nuk është vetëm dëshmi, por edhe thirrje për veprim.

Nën moderimin e znj. Raksha Gopal, diskutimi solli së bashku një panel të shquar ekspertësh: Prof. Gloria Gaggioli nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Gjenevës, znj. Feride Rushiti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), znj. Edi Gusia, Drejtoreshë Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, znj. Lyudmila Makey, gazetare ukrainase e strehuar në Kosovë përmes programit Journalists in Residence, si dhe znj. Claudia Truppa, Mjeke Kryesore në Konsultën për Viktimat e Torturës dhe Luftës.

Diskutimi nënvizoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe ndërdisiplinore në adresimin e dhunës seksuale në konflikte.

Ky aktivitet riafirmoi angazhimin e Kosovës për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të kontribuar aktivisht në përpjekjet ndërkombëtare për eliminimin e kësaj dukurie.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë shpreh mirënjohjen e saj për të gjithë panelistët, moderatoren dhe pjesëmarrësit, të cilët, me ekspertizën dhe përkushtimin e tyre, kontribuuan në një diskutim të pasur dhe domethënës mbi këtë çështje me rëndësi globale, transmeton Konsullata e Përgjithshme e RKS-së në Gjenevë, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB