POSTIMET E FUNDIT

Albulena Haxhiu nga Tivati: Kosova meriton avancim në procesin e integrimit evropian

TIVAT – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj rrugës evropiane gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili po zhvillohet në Tivat të Malit të Zi.

Në deklaratën e saj për media, Haxhiu falënderoi organizatorët e samitit dhe vlerësoi rëndësinë e diskutimeve që po zhvillohen mbi sigurinë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo nënvizoi se e ardhmja e Kosovës është e lidhur ngushtë me familjen evropiane, duke theksuar se institucionet e vendit janë të angazhuara në zbatimin e reformave dhe në harmonizimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

“E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian, një Bashkim Evropian i bashkuar dhe i zgjeruar. Kosova ka bërë reforma të rëndësishme dhe po punon më fort për qytetarët tanë dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Ne jemi në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, samiti paraqet një mundësi të rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e rajonit, ndërsa shprehu pritjen që takimi të sjellë rezultate konkrete dhe pozitive për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Haxhiu theksoi se Kosova ka dëshmuar progres të vazhdueshëm në proceset reformuese dhe meriton të avancojë në rrugën drejt integrimit evropian.

“Integrimet evropiane nuk janë vetëm një proces teknik. Ato lidhen me prosperitetin, paqen, demokracinë dhe dinjitetin e Evropës, por edhe të qytetarëve tanë”, u shpreh ajo. Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat ka mbledhur liderë politikë, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe zyrtarë të lartë nga rajoni, me fokus në forcimin e bashkëpunimit, sigurisë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB