POSTIMET E FUNDIT

SH.K. A “Dardania” vazhdon të nderojë dëshmorët e UÇPMB-së dhe të mbështesë Luginën e Preshevës

Përgatiti Dashnikm Hebibi

Prej më shumë se një dekade, Shoqëria Kulturore Artistike “Dardania”, me seli në Winterthur të Zvicrës, ka dëshmuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm në nderimin e dëshmorëve të UÇPMB-së dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar.

Para 11 vitesh, SHKA “Dardania” mori pjesë dhe nderoi Akademinë Përkujtimore të UÇPMB-së, e cila organizohet në Zvicër dhe mbetet e vetmja akademi që kujton 28 dëshmorët e UÇPMB-së, si dhe të gjithë ata që ranë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Në atë kohë, shoqëria artistike kishte edhe programin kryesor kulturor të akademisë, duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë kombëtar e artistik. Presidenti i SHKA “Dardania”, z. Shefqet Cakolli, ndër vite nuk ka munguar asnjëherë në këtë akademi përkujtimore. Edhe sivjet, vetëm pak ditë më parë, ai ishte i pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm së bashku me personalitete të diasporës shqiptare dhe veprimtarë nga Lugina e Preshevës. Në rrjetet sociale, z. Cakolli publikoi dy fotografi domethënëse: një nga para 11 vitesh, kur SHKA “Dardania” ishte pjesë e programit kryesor të akademisë, dhe një tjetër nga pjesëmarrja e këtij viti. Këto fotografi dëshmojnë vazhdimësinë e një bashkëpunimi dhe përkushtimi që ka një domethënie të madhe për ruajtjen e kujtesës historike dhe nderimin e sakrificës së dëshmorëve.

Z. Cakolli dhe SHKA “Dardania” kanë treguar vazhdimisht se nuk i harrojnë trojet shqiptare të Luginës së Preshevës – Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Ai ka marrë pjesë disa herë edhe në aktivitetet e Shoqatës Humanitare “Medvegja” me qendër në Zvicër, duke mbështetur programet kulturore dhe artistike që organizohen për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe lidhjen e diasporës me vendlindjen. Për banorët e Luginës së Preshevës, kjo përkrahje nga SHKA “Dardania” ka një vlerë të veçantë. Ajo dëshmon se sakrifica e dëshmorëve nuk harrohet dhe se lidhjet kombëtare mbeten të forta, pavarësisht distancave. Përmes veprimtarisë së saj kulturore dhe kombëtare, SHKA “Dardania” vazhdon të japë një kontribut të çmuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe në nderimin e atyre që dhanë jetën për lirinë e kombit.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB