Cyrih, 28 maj 2026 – Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, ka pritur sot në ambientet e Konsullatës Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Düsseldorf të Gjermanisë, z. Behar Isma.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe me karakter pune, ku bashkëbiseduesit diskutuan për çështje me interes të përbashkët në angazhimet në shërbim të mërgatës shqiptare në Zvicër dhe Gjermani. Me këtë rast, z. Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e mikut të tij në Cyrih, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
“Kënaqësi e veçantë të mirëpres në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, mikun tim Behar Isma, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Düsseldorf. Faleminderit Behar!”, ka shkruar z. Berisha pas takimit. Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në avancimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, transmeton helveticALForum.ch.




