BallinaAtdheuAktakuza ndaj Shehollit: Prokuroria pretendon se veproi për llogari të BIA-s dhe...

Aktakuza ndaj Shehollit: Prokuroria pretendon se veproi për llogari të BIA-s dhe ndikoi në zgjedhjet lokale

-

Prishtinë – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, të cilin e ngarkon me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Aktakuza, e cila përmban rreth 80 faqe, paraqet një sërë pretendimesh për lidhjet e tij të dyshuara me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA), mbledhjen dhe përcjelljen e informacioneve si dhe përpjekje për ndikim në proceset politike në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga BIA dhe ka zbatuar detyra të dhëna nga zyrtarë të këtij shërbimi.

Në aktakuzë pretendohet se ai ka mbledhur dhe përcjellë përmes komunikimeve telefonike informacione, dokumente dhe të dhëna që lidhen me aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Pretendimet për ndërhyrje në zgjedhjet lokale

Një nga pjesët kryesore të aktakuzës lidhet me pretendimin se Sheholli kishte zbatuar një plan të BIA-s për të ndikuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas Prokurorisë, pak ditë para zgjedhjeve ai dyshohet se kishte marrë materiale komprometuese, të cilat më pas do t’i dorëzoheshin Milaim Zekës dhe do të publikoheshin përmes mediumit “Pa Rrotlla”, në një moment të caktuar me qëllim ndikimin në opinionin publik dhe rezultatin zgjedhor.

Prokuroria pretendon se më 30 shtator 2025 u publikua fillimisht një paralajmërim dhe më pas një audio-incizim. Në dosje thuhet se materialet ishin paguar dhe se Sheholli i kishte dorëzuar Zekës edhe shumën prej 1 mijë eurosh.

Sipas aktakuzës, Sheholli kishte konfirmuar se materialet lidhen me presionin ndaj Nenad Rashiqit.

Komunikimet me zyrtarin e BIA-s

Në telefonin e Shehollit, Prokuroria thotë se janë gjetur komunikime të shumta me Bojan Dimiqin, të cilin e identifikon si zyrtar të BIA-s.

Sipas aktakuzës, numri i Dimiqit ishte ruajtur në telefon me disa emra të ndryshëm, ndër ta “Gizi”, “Gazetari”, “Bojan”, “Bibi”, “Bini”, “Boki” dhe “Lista serbe”.

Nga analiza e të dhënave telefonike, Prokuroria pretendon se janë identifikuar 22 thirrje me kontaktin “GIZI”, të realizuara nga 18 shtatori deri më 2 tetor 2025.

Në dosje përmenden edhe dokumente të klasifikuara, përfshirë materiale të shënuara si “Top Secret”, të cilat Prokuroria i lidh me plane për destabilizimin e Kosovës.

Pretendime për lidhje me struktura të së kaluarës

Aktakuza përfshin edhe pretendime që lidhen me të kaluarën e Shehollit. Prokuroria pretendon se ai kishte qenë pjesë e strukturave të sigurimit jugosllav gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë dhe përmend aktivitetin e tij në Radio Televizionin e Prishtinës, të administruar nga regjimi serb, si dhe më vonë në televizionin “AS TV”.

Në dosje përmenden edhe paraqitje të tij publike nga Beogradi, gjatë të cilave, sipas Prokurorisë, ai kishte kritikuar UÇK-në, NATO-n dhe politikën e Shteteve të Bashkuara.

Prokuroria i referohet gjithashtu një bisede telefonike të vitit 2023 mes Shehollit dhe Milan Radoiçiqit, duke pretenduar se përmes paraqitjes publike të kësaj bisede janë përçuar narrativa në mbështetje të interesave të Radoiçiqit.

Dokumente të vjetra dhe plane për destabilizim

Në aktakuzë përmendet edhe një dokument i RDB-së serbe nga viti 2001, me nofkën “Leptiri”, për të cilin Prokuroria pretendon se lidhet me përpjekjet për komprometimin e Albin Kurtit gjatë kohës së qëndrimit të tij në burg në Nish.

Po ashtu, në mesin e materialeve të sekuestruara, Prokuroria thotë se ka gjetur dokumente që përshkruajnë plane për destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një perceptimi të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist.

Në një prej dokumenteve pretendohet se udhëheqës të bashkësive islame në disa vende të rajonit ishin nën kontrollin e BIA-s.

Akuza e dytë: shantazh për mbi 13 mijë euro

Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh. Sipas Prokurorisë, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, ai dyshohet se ka kërcënuar biznesmenin Arben Jetullahu me publikimin e video-incizimeve dhe materialeve që, sipas pretendimeve të organit të akuzës, mund t’i dëmtonin reputacionin. Prokuroria pretendon se përmes këtyre kërcënimeve Sheholli e kishte detyruar biznesmenin t’i jepte mbi 13 mijë euro. Në aktakuzë thuhet se kërkesat për para kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur Sheholli ndodhej në paraburgim në Gjilan. Në përfundim të aktakuzës, Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që Sheholli të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu vazhdimin e paraburgimit ndaj tij dhe konfiskimin e mjeteve monetare dhe pasurisë së sekuestruar. Pretendimet e përfshira në aktakuzë përfaqësojnë qëndrimin e Prokurorisë dhe do të duhet të vërtetohen gjatë procedurës gjyqësore, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kur arkivat flasin, historia nuk mund të heshtë – Prof. Dr....

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Prof. Dr. Shkodran C. Imeraj, pas një viti hulumtim të pandërprerë, sjell një botim të veçantë mbi riatdhesimin e eshtrave të ushtarëve...