Sot, në ditën e Festës së madhe të Kurban Bajramit, Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër, me respektin dhe dashurinë më të madhe, uron të gjithë bashkatdhetarët tanë kudo që ndodhen – në vendlindje, në mërgatë dhe anembanë botës – për këtë festë të shenjtë të besimit islam.

Të nderuar anëtarë të kryesisë, veprimtarë, donatorë, bashkëpunëtorë dhe të gjithë besimtarët islamë,
Kurban Bajrami është festë e sakrificës, e përkushtimit ndaj Zotit, e solidaritetit dhe e afërsisë njerëzore. Kjo festë madhështore na kujton rëndësinë e besimit, të respektit ndaj familjes, të kujdesit për të varfrit dhe të ndihmës për ata që kanë nevojë. Është një festë që bashkon zemrat, forcon lidhjet familjare dhe na mëson se vlera më e madhe e njeriut është humanizmi dhe mirësia.
Në këto ditë të bekuara, lusim Zotin që në çdo familje shqiptare të mbretërojë paqja, lumturia, shëndeti dhe harmonia. Urojmë që sofrat tuaja të jenë të mbushura me begati, zemrat me dashuri dhe shtëpitë me buzëqeshje e mirëkuptim.
Kjo festë e madhe duhet të jetë edhe një thirrje për më shumë unitet ndër shqiptarë, për më shumë afrim e respekt ndaj njëri-tjetrit. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat tona kombëtare, fetare dhe familjare.
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkatdhetarët që ndër vite kanë përkrahur aktivitetet tona humanitare dhe kombëtare. Falë mbështetjes suaj, shoqata jonë ka arritur të jetë pranë shumë familjeve në nevojë, studentëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe atdhetarëve tanë.
Ne kemi vepruar gjithmonë me përgjegjësi, ndershmëri dhe sinqeritet të plotë, me qëllimin e vetëm për të ndihmuar popullin tonë dhe për të kontribuar në ruajtjen e vlerave tona njerëzore e kombëtare. Çdo ndihmë dhe çdo përkrahje nga bashkatdhetarët tanë ka qenë një motiv shtesë për të vazhduar misionin tonë humanitar.
Të dashur bashkatdhetarë,
Në këtë festë të Kurban Bajramit, kujtojmë me respekt dhe krenari të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kujtojmë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe të gjithë ata njerëz që edhe sot kanë nevojë për mbështetje e solidaritet. Shoqata jonë do të vazhdojë të jetë pranë tyre, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Sepse misioni ynë nuk është vetëm humanitar, por edhe kombëtar e njerëzor. Gjithashtu, urojmë nga zemra që Zoti t’ua ketë pranuar haxhin të gjithë besimtarëve që këtë vit ndodhen në vendet e shenjta. Ndërsa ata që ende nuk kanë pasur mundësi të kryejnë këtë obligim fetar, Zoti ua mundësoftë sa më parë. Kurbanet, lutjet dhe veprat e mira Zoti ia pranoftë çdo besimtari.
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” fton të gjithë bashkatdhetarët që të bëhen pjesë e organizimit dhe aktiviteteve tona dhe të anëtaresohen, sepse vetëm të bashkuar mund të bëjmë më shumë për vendlindjen tonë, për familjet tona dhe për të ardhmen e brezave që vijnë.
Në frymën e kësaj feste të madhe, le të mbizotërojë dashuria, respekti, mirëkuptimi dhe solidariteti mes nesh.
Me respekt të veçantë dhe urimet më të përzemërta,
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër
Urime dhe Gëzuar Festën e Kurban Bajramit për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!
PhD. Dashnim HEBIBI, kryetar




