Përgatiti Dashnim HEBIBI
Prishtinë, 21 maj 2026 – Në një kohë kur sfidat ekonomike, zhvillimore dhe akademike kërkojnë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe studiuesve shqiptarë, bota akademike shqiptare po dëshmon çdo ditë e më shumë një frymë të re uniteti dhe bashkëveprimi mbarëkombëtar. Profesorët dhe akademikët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut po japin një kontribut të rëndësishëm jo vetëm në institucionet ku ata veprojnë, por edhe në të gjitha trojet shqiptare, duke ndërtuar ura të forta bashkëpunimi shkencor dhe institucional.

Me ftesë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), u organizua Tryeza shkencore tematike “Politikat publike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”, një aktivitet me rëndësi të veçantë për diskutimin e politikave ekonomike, sfidave zhvillimore dhe perspektivës së bashkëpunimit akademik shqiptar.
Në këtë tryezë morën pjesë emra të njohur të botës akademike shqiptare, ndër të cilët akademik Abdylmenaf Bexheti, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi dhe Prof. Dr. Veland Ramadani, i njohur ndërkombëtarisht për sukseset dhe kontributin e tij në fushën e shkencës, hulumtimit dhe sipërmarrjes akademike.

Akademik Abdylmenaf Bexheti prezantoi punimin me temë:
“Efikasiteti i politikave fiskale përmes multiplikatorëve fiskalë, me theks në shpenzimet publike: Përvojat nga Maqedonia e Veriut dhe implikimet për Republikën e Kosovës”.

Në këtë prezantim u trajtua ndikimi i politikave fiskale në zhvillimin ekonomik dhe rëndësia e menaxhimit efikas të shpenzimeve publike, duke sjellë përvoja konkrete nga Maqedonia e Veriut dhe rekomandime me rëndësi për Republikën e Kosovës.
Po ashtu, u prezantua edhe tema:
“Nga kreditimi tradicional te kapitali alternativ: nevoja për një kornizë ligjore për rregullimin e investimeve të engjëjve të biznesit”, ku u diskutuan format moderne të financimit alternativ, rëndësia e krijimit të politikave të reja financiare dhe nevoja për mbështetjen e inovacionit dhe sipërmarrjes në ekonominë shqiptare.

Një rol të rëndësishëm në këtë aktivitet pati edhe Prof. Dr. Veland Ramadani, i cili njihet si një ndër profesorët dhe studiuesit shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.
Ai e vlerësoi tryezën si një platformë shumë të rëndësishme për afrimin e institucioneve akademike shqiptare dhe forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërmjet studiuesve shqiptarë në rajon dhe më gjerë. Prof. Dr. Veland Ramadani shprehu falënderim të sinqertë për ftesën, organizimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij diskutimi të rëndësishëm shkencor, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të ideve dhe përvojave lidhur me mundësitë e bashkëpunimit akademik dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta hulumtuese në të ardhmen.

Në kuadër të këtij aktiviteti shkencor, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka-Pula. Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe avancimin e rrjeteve akademike shqiptare.

Bashkëbisedimet u fokusuan në rëndësinë që ka krijimi i një hapësire të përbashkët akademike shqiptare, ku universitetet, akademitë dhe studiuesit shqiptarë të bashkëpunojnë më ngushtë në funksion të zhvillimit të dijes, shkencës dhe politikave zhvillimore për të ardhmen. Në tryezë morën pjesë edhe emra të njohur të shkencës në Kosovë.

Pjesëmarrësit vlerësuan se debatet akademike dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet studiuesve përfaqësojnë një vlerë të jashtëzakonshme për avancimin e politikave publike dhe forcimin e perspektivës zhvillimore të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit shqiptar. Ky aktivitet dëshmoi qartë se shkenca shqiptare po bashkëpunon gjithnjë e më shumë mes vete dhe se profesorët shqiptarë, kudo që jetojnë dhe veprojnë, mbeten të përkushtuar ndaj zhvillimit të arsimit, shkencës dhe të ardhmes së përbashkët kombëtare.
( Foto nga Prof. Dr. Veland Ramadani)




