POSTIMET E FUNDIT

Mbi 1000 shtegtarë shqiptarë nga mbarë Evropa në Lourdes – ditë lutjeje, shprese dhe gëzimi shpirtëror

Nga data 13 deri më 17 maj 2026, Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër organizoi shtegtimin tradicional në Lourdes, ku morën pjesë mbi 1000 shtegtarë shqiptarë të ardhur nga Zvicra dhe vende të ndryshme të Evropës.

Gjatë këtyre ditëve, pelegrinët patën mundësinë të përjetojnë momente të veçanta lutjeje, reflektimi dhe bashkimi shpirtëror pranë Shpellës së Zojës së Bekuar në Lourdes, një prej vendeve më të njohura të pelegrinazhit katolik në botë.

Programi shpirtëror përfshinte Meshët e Shenjta, lutjet e përbashkëta, procesionet tradicionale dhe Udhën e Kryqit, e cila u përjetua me shumë përkushtim dhe emocione nga të gjithë pjesëmarrësit. Në atmosferën e heshtjes, lutjes dhe meditimit, shumë shtegtarë dëshmuan paqe të brendshme, forcim të besimit dhe ndjenja të thella gëzimi shpirtëror.

Përjetimi i të pranishmëve ishte tejet i mirë dhe i mbushur me emocione pozitive, gëzim dhe mirënjohje. Shumë familje, të rinj dhe të moshuar e përjetuan këtë shtegtim si një kohë hiri dhe afërsie me Hyjin.

Ky organizim dëshmoi edhe njëherë lidhjen e fortë shpirtërore të komunitetit shqiptar katolik në diasporë dhe dëshirën e madhe të besimtarëve për t’u bashkuar në lutje, besim dhe dashuri vëllazërore, njofton Misioni Katolik Shqiptarë në Luzern, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB