Nga Saime ISUFI, koordinatore e LAPSH-it për kantonin e Bernit
Sot, në Biel, u shënua një jubile i veçantë: 20-vjetori i themelimit të “Femmes Tische”, një projekt që gjatë dy dekadave ka krijuar hapësira të rëndësishme për gratë migrante, duke i afruar, informuar, orientuar dhe fuqizuar ato në rrugën e integrimit në shoqërinë zvicerane. Në këtë përvjetor u mblodhën gra aktive që kanë qenë pjesë e këtij projekti që nga themelimi e deri më sot, së bashku me familjarë, burra, gra dhe fëmijë.
Udhëheqësja aktuale, Manuela Hee, përshëndeti të pranishmit dhe, me mirënjohje të veçantë, kujtoi edhe udhëheqëset pararendëse të “Femmes Tische”, Ines Tschengas dhe Daisy Delenbach, të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e këtij projekti. Në këtë jubile u prezantua edhe udhëheqësja e re, e cila do ta vazhdojë këtë mision të rëndësishëm në mbështetje të grave migrante.
Gjatë këtyre 20 viteve, shumë gra kanë përfituar nga ky projekt jo vetëm në aspektin e integrimit, por edhe në ngritjen e tyre personale dhe profesionale. Përmes këshillimit, informimit dhe orientimit, shumë prej tyre kanë gjetur rrugën drejt shkollimit, kualifikimit dhe punësimit, duke fituar më shumë siguri dhe pavarësi në jetën e tyre.
Në këtë ditë jubilare fjalën e morën edhe këshilltarja komunale dhe punëtore të tjera të institucioneve komunale, të cilat vlerësuan punën dhe rëndësinë e “Femmes Tische” në jetën e grave dhe familjeve me prejardhje të ndryshme kulturore.
Pas pjesës zyrtare, atmosfera u bë edhe më e ngrohtë. Të pranishmit shijuan ushqime të ndryshme e të shijshme, të sjella nga gratë e komuniteteve të ndryshme që kanë qenë pjesë e këtij projekti ndër vite, si dhe nga gratë që vazhdojnë të jenë aktive edhe sot. Një tryezë e tillë, me shije nga vende të ndryshme të botës, ishte në vetvete një simbol i bukur i bashkëjetesës, diversitetit dhe respektit të ndërsjellë.
Për mua ishte një kënaqësi e veçantë të takoja sërish gratë me të cilat, gjatë viteve, kemi ndarë orë të tëra, kohë, ide, përvoja dhe informacione për çështje të ndryshme që lidhen me jetën e familjeve migrante: integrimin, edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, shkollimin, aktivitetet jashtëshkollore dhe mundësitë e shumta që ofron qyteti dygjuhësh i Bielit.

Ishte emocionuese të takohesha me kolege me të cilat kishim vite pa u parë. Kujtimet e përbashkëta na kthyen për pak çaste në ato vite kur së bashku përpiqeshim të ndihmonim, të informonim dhe të hapnim mundësi të reja për gratë dhe familjet e ardhura nga vende e kultura të ndryshme.
U përshëndetëm me shumë ngrohtësi, por jo si njerëz që ndahen pas një takimi. E lamë fjalën që të takohemi përsëri së shpejti, sepse miqësitë dhe bashkëpunimet e krijuara ndër vite nuk i fshin koha.
20 vjet “Femmes Tische” janë 20 vjet histori njerëzore, takime, miqësi, përvoja, dije, përkrahje dhe hapa të rëndësishëm drejt një integrimi më të mirë.










