BallinaDiaspora“SOUNDS OF ALBANIA”, NGA PREZANTIMI DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE TE NDËRTIMI I...

“SOUNDS OF ALBANIA”, NGA PREZANTIMI DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE TE NDËRTIMI I URAVE ME PUBLIKUN AMERIKAN

-

Ilir Rizaj, ideatori dhe producenti i “Sounds of Albania”: “Muzika shqiptare meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut”

Intervistoi: Sokol Paja

1. I nderuar Ilir, si lindi ideja për koncertin “Sounds of Albania” në New York dhe çfarë pritshmërie keni këtë vit?

Ideja për “Sounds of Albania” lindi para së gjithash nga dashuria ime për muzikën dhe nga dëshira për ta prezantuar pasurinë e jashtëzakonshme të muzikës shqiptare para publikut amerikan. Vitin e kaluar isha në një koncert ku kompozimet e Ennio Morricone-s interpretoheshin nga një kuartet harqesh. Teksa i dëgjoja, më lindi pyetja: Pse të mos bëjmë edhe ne diçka të tillë me muzikën tonë tradicionale? Angazhova Edmond Xhanin për të bërë aranzhimet dhe, përmes lidhjeve të mia në botën e muzikës, arrita të gjej dhe të bashkoj muzikantët që do t’i jepnin jetë këtij projekti.

Një frymëzim i rëndësishëm për mua ka qenë edhe veprimtaria e Shqipe Malushit, e cila, në atë kohë kryetare e “Motrat Qiriazi”, organizoi në New York, në vitin 1998, një koncert të një niveli të lartë artistik — nga çiftelia deri te Mozart-i — me artistë shqiptarë nga diaspora këtu në Amerikë, nga atdheu dhe nga Evropa, përfshirë edhe kitaristin Ehat Musa, i cili erdhi nga Parisi posaçërisht për koncertin.

Fadil Berisha, ky kolos i kulturës sonë në diasporë, është gjithashtu një frymëzim i përhershëm për mua. Që në vitin 2007, Fadili organizoi një koncert të veçantë bamirës me Aurela Gaçen dhe Edmond Xhanin, ku të gjitha të ardhurat iu dhuruan dy prej ikonave më të mëdha të muzikës shqiptare, Vaçe Zelës dhe Nexhmije Pagarushës.

Kur e konceptova Sounds of Albania, nuk doja thjesht të organizoja një koncert me muzikë shqiptare. Ideja ishte të sillnim së bashku muzikantë të jashtëzakonshëm shqiptarë dhe amerikanë dhe ta paraqisnim këtë muzikë në një formë të re kamertale, duke ruajtur shpirtin dhe autenticitetin e saj.

Pas debutimit tonë të suksesshëm vitin e kaluar në Kaufman Music Center, këtë vit vijmë në Tribeca Performing Arts Center me një program më të përmbledhur dhe më dinamik, me aranzhime edhe më të rafinuara dhe me një identitet artistik gjithnjë e më të konsoliduar. Shpresa ime është që Sounds of Albania të vazhdojë të rritet dhe, mbi të gjitha, që këtë muzikë ta dëgjojnë gjithnjë e më shumë njerëz që ndoshta nuk kanë pasur kurrë më parë mundësi të njihen me kulturën tonë.

2. Çfarë e bën të veçantë koncertin e sivjetshëm dhe çfarë dëshironi t’i përcillni publikut shqiptar dhe amerikan?

Koncerti i këtij viti është në shumë mënyra një vazhdim dhe një evoluim i programit që në bashkpunim me Petrit Pulën, e prezantuam në Kaufman Music Center vjet në Dhjetor. Kemi dashur ta bëjmë më të përmbledhur, më dinamik dhe artistikisht edhe më të rafinuar. Edmond Xhani ka punuar përsëri mbi të gjitha aranzhimet, duke i pasuruar dhe përsosur më tej, por gjithmonë duke ruajtur karakterin dhe shpirtin e muzikës origjinale.

Programit i kemi shtuar Valsin e Lumturisë të Avni Mulës, ndërsa Kaçurrelat e Tua këtë herë merr një dimension të ri: violinistja jonë e parë, Margret Radovani, përveçse luan në kuartet, do t’i japë edhe zërin e saj kësaj kënge kaq të bukur. Ne klarinet e kemi tani virtuozin Ismail Lumanovskin, qe ka master nga Juilliard School. Por për mua ndryshimi më i rëndësishëm nuk është domosdoshmërisht te repertoari. Është fakti se ky projekt po piqet. Pas koncertit të parë, kemi pasur mundësinë ta dëgjojmë muzikën, ta analizojmë dhe të kuptojmë se ku mund ta çojmë edhe më tej. Koncerti në Tribeca është, në njëfarë mënyre, versioni më i rafinuar i asaj që nisëm në Kaufman.

Publikut shqiptar dhe shqiptaro-amerikan dëshiroj t’i përcjell para së gjithash një ndjenjë krenarie — jo thjesht sepse kjo është muzika jonë, por sepse kjo muzikë meriton të prezantohet me seriozitet, elegancë dhe në nivelin më të lartë artistik, në skenat e New York-ut.

3. Sounds of Albania sjell në skenë nga serenatat e Korçës, meloditë nga veriu, këngët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Sa e rëndësishme është për ju që kjo mbrëmje të paraqesë larminë dhe pasurinë e të gjithë hapësirës shqiptare?

Për mua kjo është thelbësore. Një nga mrekullitë e kulturës sonë muzikore është pikërisht larmia e saj. Brenda një hapësire relativisht të vogël gjeografike kemi tradita, ritme, mënyra këndimi dhe ngjyra muzikore jashtëzakonisht të ndryshme.

Programi udhëton nga serenatat e Korçës te muzika e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, nga Kosova te tradita e Arbëreshëve të Italisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe muzikën shqiptare për më shumë se pesë shekuj. Për këtë arsye, për mua “Sounds of Albania” nuk duhet të përfaqësojë vetëm një krahinë apo një traditë. Dua që publiku të ndiejë se po bën një udhëtim nëpër hapësirën tonë kulturore dhe të kuptojë se sa e pasur dhe shumëdimensionale është ajo.

4. Queen Teuta Quartet – çfarë përfaqëson për ju figura e Mbretëreshës Teuta dhe si lidhet simbolika e saj me identitetin, qëndresën dhe kulturën shqiptare?

Kur kërkoja një emër për kuartetin, dëshiroja diçka që të mos ishte thjesht një emër, por një simbol. Figura e Mbretëreshës Teuta më tërhoqi pikërisht për këtë arsye. Ajo përfaqëson forcë, qëndresë, dinjitet dhe një lidhje me një histori shumë të lashtë të këtyre trojeve. Emri Queen Teuta Quartet krijon gjithashtu një urë mes së kaluarës dhe asaj që po përpiqemi të bëjmë sot: të marrim një trashëgimi të vjetër dhe ta sjellim atë në një kontekst bashkëkohor, pa humbur identitetin e saj. Dhe më pëlqen shumë fakti që një ansambël ku gratë kanë një prani kaq të rëndësishme artistike mban emrin e një figure historike femërore kaq të fuqishme.

5. Çfarë roli mund të ketë muzika për ta mbajtur rininë shqiptare në mërgim të lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar?

Mendoj se muzika mund të arrijë aty ku ndonjëherë fjala nuk arrin. Brezi i dytë apo i tretë në diasporë mund të mos e flasë shqipen në mënyrë perfekte, mund të mos njohë çdo episodë të historisë sonë, por një melodi mund të krijojë menjëherë një lidhje emocionale. Mund të zgjojë kureshtjen: “Çfarë është kjo këngë? Nga vjen? Çfarë historie ka pas saj?” Pikërisht aty mund të filloj lidhja. Por mendoj gjithashtu se, nëse duam që të rinjtë të interesohën për trashëgiminë tonë, nuk mjafton t’u themi se duhet ta duan sepse është shqiptare. Duhet t’ua prezantojmë me cilësi, me kreativitet dhe në një gjuhë artistike që komunikon edhe me botën në të cilën ata janë rritur.

6. A është projekti Sounds of Albania një formë e diplomacisë kulturore shqiptare?

Po, unë e shoh edhe në këtë mënyrë, megjithëse projekti nuk lindi si një iniciativë institucionale apo politike. Diplomacia kulturore, në kuptimin më të bukur të fjalës, ndodh kur njerëzit njihen me njëri-tjetrin përmes kulturës. Një person që ndoshta di shumë pak për Shqipërinë, Kosovën apo historinë tonë, mund të vijë në një koncert, të dëgjojë një serenatë korçare, një melodi nga Kosova apo një këngë arbëreshe dhe të largohet me një perceptim krejt tjetër për kulturën shqiptare. Për mua, kjo është diplomaci kulturore. Dhe fakti që këtë muzikë e interpretojnë së bashku artistë shqiptarë dhe amerikanë e bën mesazhin edhe më të fuqishëm. Nuk po ndërtojmë një mur rreth kulturës sonë për ta ruajtur atë. Po ndërtojmë një urë që të tjerët të mund ta njohin dhe ta përjetojnë atë.

7. Të ardhurat e koncertit do t’i dhurohen organizatës “Motrat Qiriazi” dhe organizatave të tjera bamirëse. Sa domethënëse është për ju që një aktivitet artistik që promovon kulturën shqiptare të shërbejë njëkohësisht edhe për fuqizimin e grave shqiptaro-amerikane dhe komunitetit shqiptar në SHBA?

Kjo ka një domethënie të veçantë për mua, sepse besoj se kultura dhe komuniteti nuk duhet të ekzistojnë të ndara nga njëra-tjetra. “Motrat Qiriazi” kanë bërë një punë të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, veçanërisht në mbështetjen dhe fuqizimin e grave, në edukim dhe në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Në rastin e Sounds of Albania, ato na kanë dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme. Prandaj më duket shumë e natyrshme që një projekt që feston kulturën shqiptare të kontribuojë konkretisht edhe në komunitetin që e mban gjallë këtë kulturë. Për mua, suksesi i “Sounds of Albania” nuk matet vetëm me numrin e biletave të shitura apo me duartrokitjet në fund të koncertit. Nëse përmes muzikës mund të krijojmë diçka artistikisht të bukur, ta prezantojmë kulturën tonë me dinjitet, të ndërtojmë ura me publikun amerikan dhe, njëkohësisht, të ndihmojmë komunitetin tonë, atëherë projekti ka arritur diçka shumë më të madhe se një koncert. /GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Mos e ndrysho veten për shkak të atyre që nuk dinë...

0
Nga Besnik HEBIBI, Milano Një reflektim mbi sinqeritetin, vlerën e asaj që kemi dhe prirjen e shoqërisë për të kërkuar larg atë që shpesh e...

Dasmë, dekë e jetë