POSTIMET E FUNDIT

Ambasador Flamur Gashi: Për Kongresmenin Eliot ENGEL, liria e Kosovës ishte një bindje e thellë morale dhe njerëzore

KUMTESË, në Tryezën Akademike në Kolegji AAB , në përkujtim të jetës dhe veprës së Kongresmenit amerikan Eliot ENGEL.

Prishtinë, 15 maj 2026

Të nderuar drejtues të Kolegjit AAB,

Të nderuar profesorë,

Të dashur studentë,

Është një nder i veçantë për mua të paraqitem sot në këtë tryezë kushtuar figurës së Kongresmenit amerikan Eliot ENGEL dhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shërbimit publik.

Kjo tryezë nuk është thjesht një reflektim mbi jetën dhe veprimtarinë e një kongresmeni amerikan, por një mundësi e çmuar për të kuptuar më thellë historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe mënyrën se si politika, diplomacia, mërgata dhe shoqëria civile, mund të bashkohen në funksion të lirisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor.

Figura e Kongresmenit Eliot ENGEL, nuk mund të kuptohet jashtë traditës historike të politikës amerikane ndaj kombeve të vogla dhe të drejtës së tyre për vetëvendosje.

Kjo traditë lidhet që në zanafillë me Presidentin Woodrow WILSON, i cili në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, mbrojti me vendosmëri të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe kontribuoi drejtpërdrejt në mbrojtjen e ekzistencës së kombit dhe shtetit shqiptar.

Në një kohë kur fuqitë e mëdha po rishkruanin hartën politike të Evropës, Presidenti WILSON vendosi një standard të ri moral në diplomacinë ndërkombëtare: parimin se kombet nuk duhet të trajtohen si objekte të thjeshta të interesave gjeopolitike, por si komunitete me të drejta legjitime për liri, identitet dhe sovranitet.

Ky parim wilsonian do të rikthehej fuqishëm në fundin e shekullit të njëzetë gjatë krizës në Kosovë.

Shpërbërja e Jugosllavisë krijoi një nga krizat më të rënda humanitare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Fillimisht, administrata e Presidentit George H. W. BUSH ndoqi një qasje të kujdesshme, kur lëshoi paralajmërimin e njohur të “Krishtlindjeve” kundër përdorimit të dhunës dhe represionit etnik.

Më vonë, me ardhjen e administratës së Presidentit Bill CLINTON, politika amerikane mori një drejtim më aktiv dhe më të vendosur në mbrojtje të popullsive civile në Ballkan, duke e vendosur çështjen e Kosovës në qendër të agjendës ndërkombëtare.

Në këtë periudhë vendimtare për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan, një rol të rëndësishëm luajtën edhe shumë personalitete politike, diplomatike, ushtarake amerikane dhe veprimtarë të mërgates shqiptaro-amerikane.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine ALBRIGHT, mbetet një nga figurat më të respektuara në historinë moderne të Kosovës për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj ndërhyrjes humanitare të NATO-s dhe mbrojtjes së popullsisë civile shqiptare.

Ambasadori amerikan Richard HALBROOKE, është një nga figurat më vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

Me këmbëngulje, presion diplomatik dhe angazhim të drejtpërdrejtë ndaj regjimit serb, ai u bë zë i fuqishëm i ndërgjegjësimit botëror për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës.

Kontributi i tij nuk ishte vetëm politik, por historik, sepse ndihmoi në hapjen e rrugës drejt ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Po ashtu, Gjenerali Wesley CLARK, udhëhoqi me vendosmëri operacionin ushtarak të NATO-s kundër regjimit serb.

Ndërsa diplomati amerikan William WALKER, përmes denoncimit të masakrës së Reçakut, ndikoi fuqishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar mbi krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mbështetja amerikane për Kosovën mori edhe një vulë historike me deklaratën e Presidentit George W. BUSH në Tiranë, më 10 qershor 2007, kur ai deklaroi qartë se: “Më shpejt sesa më vonë duhet të thuhet se mjaft është mjaft — Kosova është e pavarur”.

Kjo deklaratë pati jehonë të jashtëzakonshme politike dhe morale, sepse ishte hera e parë që një President amerikan shprehte kaq hapur dhe prerazi mbështetjen për pavarësinë e Kosovës.

Ajo u konsiderua një moment historik për shqiptarët dhe një sinjal i fortë për bashkësinë ndërkombëtare se SHBA mbështeste zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.

Pas kësaj deklarate të Presidentit BUSH në Tiranë, u organizua edhe shpallja nga Parlamenti i Kosovës, të Republikës së Kosovës, Shtet të Pavarur dhe Sovran.

Por, për të ardhur deri të kjo ditë, ka një histori:

Në një periudhë kthesash të mëdha historike për kombin tonë, një nga figurat më të rëndësishme që e ngriti çështjen e Kosovës në institucionet më të larta amerikane ishte, Senatori Bob DOLE.

Vizita e tij historike në Kosovë në vitin 1990 në krye të një delegacioni të përbërë nga kongresmen dhe senator amerikan, shënon një nga momentet më përcaktuese të ndërgjegjësimit amerikan për gjendjen e rëndë të shqiptarëve.

Në një kohë kur bota ende nuk e kishte kuptuar plotësisht dimensionin e represionit serb, Senatori Bob DOLE e trajtoi çështjen e Kosovës si një çështje të drejtësisë ndërkombëtare dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Ai u bë një nga zërat më të fuqishëm në Senatin Amerikan, duke kontribuar në krijimin e klimës politike që më vonë do të kulmonte me ndërhyrjen humanitare të NATO-s.

Në këtë histori të përbashkët, roli i mërgates shqiptare dhe i individëve si Jim XHEMA zë një vend të veçantë, përmes angazhimit të tij qytetar, patriotik dhe lobues.

Jim XHEMA, duke punuar ngushtësisht me Senatorin Bob DOLE, kontribuoi në afrimin e çështjes së Kosovës me qarqet politike dhe institucionale në Washington DC.

Ai ishte ndër shqiptarët e parë që kuptoi herët rëndësinë e diplomacisë publike dhe të krijimit të urave të komunikimit ndërmjet komunitetit shqiptar dhe Kongresit e Senatit Amerikan.

Në të njëjtën kohë, veprimtarë të shquar të mërgates shqiptaro-amerikane, si z.Ekrem BARDHA dhe shumë e shumë të tjerë, kontribuan për vite me radhë në forcimin e lobimit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme me institucionet amerikane.

z.Ekrem BARDHA veproj shpejtë dhe saktë, duke gjetur në mes të viteve ‘80 të Kongresmeni William BROOMFIELD (R- Michigan), një nga zërat e parë dhe më të fuqishëm në Kongresin Amerikan që e ngriti çështjen e Kosovës në ndërgjegjen politike të Amerikës.

Kongresmeni William BROOMFIELD, ishte nga të parët kongresmen që realizoi miratimin e disa rezolutave për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe arriti që të heqi partneritetin strategjik ekonomik të Jugosllavisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të njëjtën linjë historike dhe institucionale me Senatorin Bob DOLE dhe Kongresmenin William BROOMFIELD qëndron figura e Kongresmenit Eliot ENGEL.

Ndryshe nga shumë politikanë që e trajtojnë politikën e jashtme në mënyrë episodike, Kongresmeni Eliot ENGEL ndërtoi një marrëdhënie afatgjatë, të sinqertë dhe të palëkundur me shqiptarët.

Si anëtar dhe më vonë si Kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresmeni ENGEL ishte zëri më i qartë dhe më i qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Ballkan.

Kongresmeni Eliot ENGEL, ishte ndër kongresmenët që denoncoi vazhdimisht shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ato kombëtare të shqiptarëve gjatë viteve ’90.

Ai nuk ishte thjesht një mbështetës i politikës amerikane për Kosovën; ai ishte një nga arkitektët që kontribuoi në formësimin e saj.

Kongresmeni ENGEL, formuloi dhe mbështeti rezoluta që kërkonin ndalimin e represionit serb në Kosovë, mbrojti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe më vonë u bë një nga avokatët më të vendosur të pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj euroatlantik.

Për Kongresmenin Eliot ENGEL, liria e Kosovës nuk ishte vetëm një çështje politike, por një bindje e thellë morale dhe njerëzore.

Në këtë proces historik, një vend nderi meriton edhe z.Harry BAJRAKTARI, i cili për dekada shërbeu si një urë e palodhshme lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe elitës politike amerikane, e në mënyrë të veçantë me Kongresmenin Eliot Engel.

Përmes organizimit të takimeve të nivelit të lartë dhe aktiviteteve publike, z. Harry Bajraktari ndihmoi në krijimin e një infrastrukture solide të diplomacisë qytetare shqiptaro-amerikane.

Pikërisht, përmes këtyre bashkëpunimeve komuniteti shqiptar arriti të ndërtojë një prani serioze dhe të respektuar në Washington DC dhe New York, duke bërë që zëri ynë të dëgjohej aty ku merren vendimet e mëdha.

Marrëdhënia ndërmjet Kongresmenit Eliot ENGEL dhe mërgates shqiptare ishte e vazhdueshme dhe e ndërtuar mbi besimin reciprok.

Kongresmeni ENGEL, nuk ishte një politikan i largët apo i paarritshëm; përkundrazi, mori pjesë në takime të shumta të komunitetit shqiptar, mbajti kontakte të rregullta me përfaqësuesit institucionalë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe dëshmoi se diplomacia moderne ndërtohet jo vetëm në zyra institucionale, por edhe në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetet.

Në mozaikun e madh të mbështetjes amerikane për çështjen shqiptare duhet të kujtojmë me mirënjohje edhe kontributin e figurave të shquara si: Presidenti Joe BIDEN, Senatorët John McCAIN, Richard LUGAR, Edward KENNEDY, Claiborne PELL, Chuck SCHUMER, si dhe kongresmenët Tom LANTOS, Alfonse D’AMATO,

Dana ROHRABACHER, David BONIOR, si dhe shumë senator, kongresmen dhe personalitete të tjera të larta të jetës politike dhe vendimmarrjës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontribut i gjerë dëshmon se mbështetja për Kosovën nuk ishte qëndrim i një partie të vetme politike, por një konsensus i gjerë institucional amerikan.

Ky vizion vazhdon edhe sot me figura të reja politike, si Kongresmenet Ritchie TORRES (D) e Keith Self (R), të cilët po e trashëgojnë me dinjitet këtë traditë miqësie dhe mbështetjeje.

Po ashtu, një rol pionier në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka luajtur ish Kongresmeni amerikan më origjine arbëreshe Joseph DioGUARDI, i cili, si themelues dhe drejtues i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ishte ndër të parët që hapi dyert e Kongresit dhe Senatit Amerikan për çështjen shqiptare, dhe sensibilizoi institucionet amerikane mbi të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi, sidomos në Kosovë.

Një rol të veçantë kanë luajtur edhe z.Elez Biberaj dhe gazetarët e tjerë shqiptarë në SHBA, përmes gazetarisë profesionale, analizave dhe informacioneve kryesisht në radio “Zërin e Amerikës” dhe gazetën “Illyria” (që botohej në shqip dhe anglisht).

Këta gazetar kontribuan në informimin e drejtë të opinionit amerikan gjatë periudhave më kritike të historisë sonë, por edhe në krijimin e urave të komunikimit dhe miqësisë me personalitete të larta të institucioneve drejtuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mërgata shqiptare në Amerikë, e organizuar në Federatën Panshqiptare “Vatra”, në shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe përmes shumë personaliteteve dhe individëve të angazhuar kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe popullit amerikan.

Megjithatë, në më shumë se 35 vitet e fundit, roli i Kongresmenit Eliot ENGEL, mbetet ndër më të veçantët dhe më të rëndësishmit.

Kongresmeni ENGEL, kishte raporte të veçanta miqësie me Presidentin Ibrahim Rugova, më të cilin zhvillonte kontakte, konsultime dhe komunikim të rregullt dhe kishin një konsiderate dhe respekt të ndersjelltë.

Pas daljes në skenë të UÇK-së, por edhe pas lirisë dhe pavarësisë se Kosovës, Kongresmeni Eliot ENGEL, mbajti kontakte dhe komunikim të vazhdueshëm edhe me z. Ramush Haradinaj, z. Hashim Thaçi dhe figura të tjera të luftës çlirimtare të Kosovës.

Kontributi dhe ndikimi i Kongresmenit Eliot ENGEL në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës janë të pamohueshme.

Ai, personalisht ndikoi në shumë shtete dhe qarqe diplomatike për të mbështetur njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, duke zhvilluar vizita personale dhe duke takuar drejtues shtetesh në shërbim të njohjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kongresmeni ENGEL, ishte njeri i veprimit dhe i kontakteve të drejtëpërdrejta.

Kontakti im i parë me Kongresmenin Eliot ENGEL, ka qenë gjatë vizitës së tij në Kosovë menjëherë pas luftës, në Kullën e familjes Bajraktari në Vranoc të Pejës, ku ai kishte ardhur si mysafir i mikut dhe shokut të tij të afërt, Harry BAJRAKTARI.

Që nga ajo kohë, kontaktet e mia me Kongresmenin ENGEL dhe me ekipin e zyrës së tij kanë qenë të vazhdueshme dhe shumë miqësore.

Këto kontakte ishin private por edhe institucionale, si në cilësin e Drejtorit të Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare, si Ambasador, apo si Këshilltar i Kryeministrit apo disa Presidentëve të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë shumë viteve të pjesëmarrjes sime në sesionet vjeshtorë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), si anëtar i delegacionit të Republikës së Shqipërisë, takimet e delegacionit Republikes së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës më Kongresmenin ENGELl kanë qenë të rregullta dhe asnjëherë të anashkaluara.

Shumica e këtyre takimeve organizoheshin nga z.Harry BAJRAKTARI, në rezidencën e tij personale ose në darka e dreka pune, ku këshillat, sugjerimet dhe ndërmjetësimet e Kongresmenit ENGEL kishin një vlerë të jashtëzakonshme politike, diplomatike dhe orientuese.

Një moment simbolik dhe tepër emocional për të gjithë ne pjesëmarrësit në këtë aktivitet por edhe për Kongresmenin ENGEL, mbetet vizita në Shqipëri dhe në Kosovë e Konresmenit Eliot ENGEL në korrik të vitit 2019, kur aksi rrugor “Gjakovë–Qafë Morinë-Tropojë” u emërtua “Rruga Kongresmen Eliot ENGEL”.

Ky akt nuk ishte thjesht një nderim formal, por një shprehje e sinqertë dhe e thellë e mirënjohjes së një populli ndaj një miku që qëndroi pranë tij edhe në momentet më të vështira të historisë së tij moderne.

Të nderuar profesorë,

Të dashur studentë,

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane na mëson se liria, paqja dhe dinjiteti njerëzor duhen mbrojtur me guxim politik, moral dhe institucional.⅞

Figura e Kongresmenit Eliot ENGEL, përfaqëson modelin e politikanit që ndërton ura mirëkuptimi dhe që e kupton pushtetin si shërbim ndaj paqës, drejtësisë dhe demokracisë.

Nëse, Senatori Bob DOLE përfaqëson zgjimin e ndërgjegjes amerikane për Kosovën, Kongresmeni Eliot ENGEL përfaqëson institucionalizimin e kësaj miqësie të qëndrueshme shqiptaro-amerikane.

Në përmbyllje dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Pentagonin, Senatin, Kongresin dhe Institucionet e sigurisë, si dhe për popullin amerikan, i cili, në momentet më të vështira të historisë sonë, zgjodhi të qëndrojë në anën e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.

Propozimi dhe miratimin në Komisionin e Politikës së Jashtme në Kogresin Amerikan, që objekti i Ambasadës amerikane në Kosovë të marr emrin “Kongresmen Eliot ENGEL”, është një dëshmi e qartë dhe vlëresim nga ana e institucioneve më të larta amerikane, për kontributin e Senatorit ENGEL për lidhjet në mes dy vendeve dhe popujve tanë!

Trashëgimia politike dhe njerëzore e Kongresmenit Eliot ENGEL do të mbetet përgjithmonë një udhërrëfyes për brezat e ardhshëm dhe një kapitull i rëndësishëm në historinë e miqësisë shqiptaro-amerikane!

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB