Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Sipas rezultateve të shortit, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me numrin 125, Lidhja Demokratike e Kosovës me numrin 113, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 128, ndërsa Partia Socialdemokrate me numrin 129.
KQZ-ja ka bërë të ditur se në garën për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës do të marrin pjesë gjithsej 23 subjekte politike me 917 kandidatë për deputetë.
Zgjedhjet e 7 qershorit konsiderohen të rëndësishme për skenën politike në vend, pasi subjektet politike tashmë kanë nisur mobilizimin e strukturave dhe prezantimin e programeve të tyre para qytetarëve. Fushata zgjedhore pritet të fokusohet në çështje ekonomike, zhvillim, integrime evropiane dhe sundim të ligjit.
Procesi i shortit u zhvillua në praninë e përfaqësuesve të partive politike dhe vëzhguesve, ndërsa KQZ-ja ka bërë thirrje për një proces zgjedhor të rregullt, demokratik dhe transparent, transmeton rtk.




