Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të avancojë aplikimin e Kosovës për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
Në konferencën për media, Kurti deklaroi se kanë kaluar mbi 40 muaj që nga aplikimi i Kosovës dhe se momenti i ri i zgjerimit të BE-së duhet të reflektohet me hapa konkretë për Kosovën.
“Me komisioneren Marta Kos kemi ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës”, tha Kurti.
Ai theksoi se Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm në përmbushjen e standardeve evropiane, duke avancuar në shumë kapituj të integrimit. Sipas tij, vendi ka kaluar nga progresi i kufizuar në progres të theksuar në 18 kapituj, ndërsa në pesë kapituj të tjerë është shënuar progres i mirë.
Kurti potencoi gjithashtu se Kosova ka kuadrin më të avancuar kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në rajon. Ai iu referua raportit të Këshillit të Evropës, i cili sipas tij vlerëson se Kushtetuta e Kosovës tejkalon standardet ndërkombëtare në këtë aspekt.
Duke folur për sfidat e sigurisë, Kurti akuzoi Serbinë për destabilizim dhe tha se vakuumi që po lë BE-ja ndaj Kosovës po shfrytëzohet nga aktorë që synojnë të minojnë vlerat evropiane.
“Vakuumi që lë Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktorë të tjerë dashakqinj, të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë përmendi dy sulmet që i cilësoi terroriste dhe që sipas tij janë dirigjuar nga Serbia: sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc më 29 nëntor 2024. Ai kërkoi llogaridhënie për këto raste, duke theksuar se mungesa e përgjegjësisë rrit rrezikun për sigurinë rajonale.
Kurti kritikoi gjithashtu Serbinë për bllokimin e marrëveshjes për njohjen e diplomave dhe Bosnje e Hercegovinën për mosheqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në fund, ai falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare në kuadër të Planit të Rritjes, liberalizimin e vizave dhe përfshirjen e Kosovës në tregun e përbashkët rajonal dhe në instrumentet para-anëtarësimit.
Sipas Kurtit, mungesa e një Kuvendi funksional gjatë vitit të kaluar ka ndikuar në vonesën e disa reformave, duke rrezikuar edhe afatet e përcaktuara për muajin qershor, transmeton rtk.




