Në qytetin e Aachen-it, Gjermani, zhvillohet sot ceremonia e ndarjes së Çmimit prestigjioz “Karli i Madh”, një nga vlerësimet më të rëndësishme europiane që jepet prej vitit 1950 për personalitete të shquara të politikës, shkencës dhe diplomacisë, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për projektin e një Europe të bashkuar.
Këtë vit, çmimi i akordohet ish-kryeministrit të Italisë dhe ish-Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, në vlerësim të rolit të tij vendimtar në ruajtjen e stabilitetit të Unionit Monetar Europian dhe angazhimit për një Europë ekonomikisht të fortë, konkurruese dhe të bashkuar.
Në këtë ceremoni është i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar i posaçëm mes 700 personaliteteve europiane.
Në nderim të tij, pritet të mbajë një fjalim të posaçëm kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa të pranishëm janë edhe drejtuesja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, si dhe personalitete të tjera të larta të politikës dhe institucioneve europiane.
Gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Gjermania, raportoi mbi atmosferën e veçantë të qytetit të Aachen-it, i cili është nën masa të shtuara sigurie për shkak të rëndësisë së eventit.
Ajo theksoi se “pak më herët mbërriti Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili do të mbajë një fjalim të posaçëm në aktivitetin për dhënien e çmimit Mario Draghi.”
Rama mori pjesë në darkën zyrtare dhe do të zhvillojë takime bilaterale me homologët e tij, përfshirë kancelarin gjerman Merz dhe kryeministrin grek Mitsotakis. Agjenda e tij përfshin diskutime mbi bashkëpunimin rajonal, integrimin europian dhe sfidat e sigurisë.
Gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani, raportoi se kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë event si i ftuar nderi, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani do të zhvillojë takime bilaterale me homologët europianë.
Ajo shtoi se agjenda e Ramës përfshin takime me kancelarin gjerman Merz dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku pritet të diskutohet për bashkëpunimin rajonal, integrimin europian dhe sfidat e sigurisë.
Çmimi “Karli i Madh” ka një histori të gjatë, ku ndër fituesit e mëparshëm janë kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, transmeton rtsh.




