POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori i RMV-së Rexhep Demiri priti në Bernë Ambasadorin e Zvicrës në RMV Christoph Sommer 

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, ka zhvilluar sot, më 13 maj, një takim shumë të rëndësishëm diplomatik në ambientet e Ambasadës së RMV-së në Zvicër. Sipas asaj që mëson HelveticALForum, Shkëlqesia e Tij Demiri e ka përshkruar takimin me Ambasadorin e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, z. Christoph Sommer, si një takim të nivelit të lartë, me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të pres në ambientet e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë Ambasadorin e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, z. Christoph Sommer. Gjatë këtij takimi zhvilluam një bisedë të hapur, konstruktive dhe shumë të frytshme mbi një sërë çështjesh me interes të përbashkët, si në raportet dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona, ashtu edhe në bashkëpunimet konkrete që lidhen me zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe në Zvicër. 

E falënderova Ambasadorin për vizitën e tij dhe për angazhimin e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet dy shteteve. Në veçanti, diskutuam për mundësinë e hapjes së një dhome ekonomike në Zvicër, me qëllim forcimin e mëtejmë të lidhjeve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e një ure më të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve të biznesit në të dy vendet, duke e ndërlidhur atë edhe me strukturat përkatëse në Maqedoninë e Veriut. 

Gjithashtu, shpreha mirënjohjen time të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada e Zvicrës ofron në realizimin e projekteve të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushën e zhvillimit komunal, forcimit të qeverisjes lokale, bashkëpunimit ndërqeveritar dhe atij parlamentar, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e proceseve demokratike dhe zhvillimore në vend. Në këtë kuadër, vlerësova edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në realizimin e vizitës së Presidentit të Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, një vizitë e cila u zhvillua me sukses dhe në frymë të mirë të partneritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. 

Me këtë rast, pata gjithashtu nderin t’i dhuroj librin “REXHEP DEMIRI – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, të autorëve PhD. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, si shenjë respekti.  Takimi u përmbyll në një atmosferë shumë miqësore dhe të ngrohtë, duke shprehur gatishmërinë e përbashkët për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. U ndamë me urimet më të përzemërta për suksese të mëtejshme dhe me dëshirën e sinqertë që të kemi takime dhe bashkëpunime të tjera edhe në të ardhmen.”

Takimi u vlerësua si një tjetër hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, institucional dhe diplomatik mes dy vendeve mike.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB