POSTIMET E FUNDIT

Kosova prezanton politikat për mbështetjen e NVM-ve në forumin rajonal të OECD-së

Në Budva u mbajt takimi rajonal i nivelit të lartë me rastin e lansimit të raportit “Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2026” të OECD, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të politikave ekonomike nga vendet e rajonit.

Republika e Kosovës në këtë forum u përfaqësua nga Jeton Mehmeti, zëvendësministër në detyrë i Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si dhe nga Nol Buzhala, koordinator nacional dhe ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të KIESA.

Gjatë diskutimeve në panel, Mehmeti theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë po mbështeten përmes masave konkrete qeveritare, duke përfshirë skema të granteve dhe mbështetje financiare për avancim teknologjik, digjitalizim, pajisje me efikasitet energjetik, procese më të pastra prodhimi, inovacion dhe rritje të eksporteve.

Sipas tij, një ndër prioritetet kryesore mbetet edhe harmonizimi i sektorit privat me standardet e Bashkimi Evropian, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Ai gjithashtu nënvizoi se përmes Ligjit për Investime të Qëndrueshme, Kosova ka krijuar një kornizë më të qartë institucionale për promovimin dhe mbështetjen e investimeve që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim të gjelbër të ekonomisë.

Pjesëmarrja e institucioneve kosovare në këtë forum rajonal u vlerësua si dëshmi e angazhimit të vendit për zhvillimin e politikave moderne, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në mbështetje të sektorit privat dhe ndërmarrësisë.

Raporti i OECD-së konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme për vlerësimin e progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në krijimin e politikave mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektor ky që përbën shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në rajon, transmeton KIESA, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB