Kinematografia kosovare ka shënuar një tjetër moment historik në arenën ndërkombëtare. Filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, ka premierën botërore sot në programin prestigjioz “Semaine de la Critique” në kuadër të Festival de Cannes.
Filmi është përzgjedhur në mesin e vetëm shtatë filmave të gjatë të këtij edicioni, duke e bërë atë filmin e parë nga Kosova që arrin të futet në këtë seksion shumë të rëndësishëm dhe konkurrues të festivalit francez. “DUA” do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë, duke vendosur edhe një herë Kosovën në hartën e kinemasë botërore. Një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve ’90, “DUA” është frymëzuar nga përvojat personale të regjisores Basholli. Filmi rrëfen historinë e një adoleshenteje introverte që përpiqet të gjejë identitetin e saj në një periudhë të trazuar politike dhe shoqërore. Rolin kryesor e interpreton Piena Matoshi, vajza e aktores së njohur Adriana Matoshi, duke sjellë në ekran një personazh emocional dhe autentik që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut dhe kritikës ndërkombëtare. Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka nga Ikonë Studio, ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga Alva Film, si dhe Amaury Ovise nga Kazak Productions.
“DUA” është mbështetur nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë Centre National du Cinéma et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës.
Pas suksesit ndërkombëtar të filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli rikthehet në Cannes me një projekt që pritet të konfirmojë edhe më tej fuqinë krijuese të kinemasë kosovare dhe potencialin e saj për të depërtuar në skenat më elitare të filmit botëror, transmeton rtk.




