Përgatiti Dashnim HEBIBI
Më 10 maj 2026, në St. Gallen u mbajt Akademia Përkujtimore e UÇPMB-së, një organizim tradicional që prej më shumë se 20 vitesh bashkon bashkatdhetarët në nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pas ndërprerjes së përkohshme gjatë pandemisë Covid-19, këtë vit akademia u rikthye fuqishëm, duke sjellë emocione të veçanta dhe mesazhe uniteti.
Në kuadër të kësaj akademie, Këshilli Organizativ ndau disa mirënjohje për figura dhe veprimtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe kujtesës historike. Njëra ndër mirënjohjet më domethënëse iu nda atdhetarit të dëshmuar dhe lahutarit të njohur shqiptar, Shaqir Demaj – “Baci Shaq”, i cili prej vitesh është i njohur në mbarë mërgatën shqiptare dhe në trojet tona përmes interpretimit me lahutë dhe këngëve patriotike.

Me shumë respekt dhe emocion, Baci Shaq interpretoi një këngë të veçantë kushtuar 28 dëshmorëve të UÇPMB-së, duke prekur thellë zemrat e të pranishmëve në sallë. Atmosfera u mbush me emocione të papërshkrueshme, ndërsa shumë pjesëmarrës nuk mundën të fshehin lotët gjatë interpretimit të tij prekës.
Komisioni organizativ, në përbërje të Fazli Musliut, Zenel Nezirit dhe Dashnim Hebibit, shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e Bacit Shaq në ruajtjen dhe kultivimin e frymës patriotike ndër shqiptarët në mërgatë.
I emocionuar dhe me lot në sy, Baci Shaq falënderoi organizatorët për vlerësimin e bërë, duke theksuar se pamjet e 28 dëshmorëve i shkaktojnë dhembje të madhe shpirtërore, por njëkohësisht krenari të pafund.
“Kur po i shoh këto 28 foto të dëshmorëve, shpirti po më dhemb, por duhet të jemi krenarë, sepse ata dhanë jetën për flamurin tonë kombëtar. Ne duhet të jemi më të bashkuar dhe të ecim përpara”, u shpreh ai para të pranishmëve.
Organizatorët theksuan se Akademia Përkujtimore e UÇPMB-së do të vazhdojë të mbahet çdo vit dhe ftesa mbetet e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në ruajtjen e kujtimit dhe veprës së dëshmorëve, sepse, siç u tha gjatë aktivitetit, “dëshmorët janë të kombit”.
Foto nga Daut Luboja




