Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nga dita e hënë deri të premten do të vazhdojnë seancat gjyqësore në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në seancën e së enjtes ka dëshmuar ekspertja Helen Fraser, e thirrur nga mbrojtja e Thaçit, e cila pritet të vazhdojë dëshminë edhe gjatë ditës së sotme. Fokus i dëshmisë së saj ishin transkriptimet e audio-incizimeve nga vizitat në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Fraser ngriti dyshime serioze mbi besueshmërinë e transkripteve të përgatitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke deklaruar se “mbështetja në ato transkripte është e ulët” dhe se ato nuk mund të konsiderohen plotësisht të sakta.
Sipas saj, procesi i transkriptimit është ndikuar nga mungesa e burimeve të mjaftueshme dhe organizimi jo i mirë i materialeve. Nga ana tjetër, prokurori Joshua Hafetz tha se vetë ekspertja e kishte përshkruar procesin e verifikimit si një “eksperiment jo i mirëkontrolluar”.
Ekspertja Fraser theksoi gjithashtu se mendon që Njësia e Përkthimeve ka përgatitur versionet finale të transkripteve, sipas sugjerimeve të dhëna nga gjykatësi.
Në kuadër të këtij rasti, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan në Kosovë më 5 dhjetor 2024 dhe një ditë më pas u transferuan në paraburgimin e Hagës, pas konfirmimit të aktakuzës dhe urdhërarresteve nga Gjykata Speciale.
Po atë ditë, edhe Hashim Thaçi mori zyrtarisht fletarrestimin në qendrën e paraburgimit, ku tashmë ndodhej për procesin tjetër gjyqësor.
Ndërkohë, Hajredin Kuçi u njoftua me aktakuzën dhe urdhrin për paraqitje para gjykatëses së procedurës paraprake më 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se kanë vepruar individualisht dhe në bashkëpunim për të ndikuar ose penguar zyrtarët në ushtrimin e detyrave të tyre.
Në paraqitjen e parë para gjykatës, më 27 shkurt 2026, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta, transmeton rtk.




