Përgatiti D. H
Në një atmosferë solemne dhe plot emocion, mbrëmjen e kaluar në Zarë u mbajt Akademia Solemne me rastin e 300-vjetorit të komunitetit Arbanas, një ngjarje me rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe identitare për shqiptarët dhe kroatët. Në këtë përvjetor jubilar mori pjesë edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Kraci, znj. Donika Hoxha, së bashku me autoritete të larta kroate, përfaqësues të botës akademike, klerit, trupit diplomatik dhe anëtarë të komunitetit Arbanasi, duke nderuar tre shekuj të historisë dhe qëndresës së një komuniteti që ka ruajtur me krenari rrënjët e veta shqiptare.
Ky kremtim përkujtoi vendosjen e familjeve shqiptare në rajonin e Zarës gjatë shekullit XVIII, një kapitull i rëndësishëm i historisë shqiptare në brigjet e Adriatikut. Të ardhur nga trojet shqiptare në periudha të vështira historike, Arbanasët ndërtuan jetën e tyre në Kroaci duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe traditat, ndërkohë që u integruan me sukses në shoqërinë kroate dhe u bënë pjesë aktive e zhvillimit të saj.
Gjatë Akademisë Solemne u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm që komuniteti Arbanas ka dhënë ndër vite në kulturë, arsim, shkencë dhe jetën publike kroate. Emra të njohur të këtij komuniteti kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë dhe identitetin kulturor të Kroacisë, duke dëshmuar se ruajtja e identitetit etnik dhe integrimi shoqëror mund të ecin së bashku në mënyrë harmonike.
Një moment veçanërisht prekës i mbrëmjes ishte përkujtimi i Arbanasëve që dhanë jetën në luftë për mbrojtjen e Kroacisë, duke dëshmuar përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj vendit ku ndërtuan të ardhmen. Ky homazh u prit me emocione të forta nga të pranishmit dhe shërbeu si simbol i lidhjes së thellë mes komunitetit Arbanas dhe shtetit kroat.
Pjesë e rëndësishme e ceremonisë ishte edhe programi artistik, ku tingujt e këngëve tradicionale në gjuhën shqipe sollën emocione dhe nostalgji, duke rikthyer kujtesën e trashëgimisë së pasur kulturore që ky komunitet ka ruajtur ndër breza. Këto interpretime dëshmuan se, edhe pas tre shekujsh larg vendlindjes së të parëve, identiteti shqiptar vazhdon të jetojë me dinjitet në zemrën e Arbanasëve të Zarës.

Në fjalët e mbajtura gjatë aktivitetit u theksua se historia e Arbanasëve përfaqëson një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës, integrimit dhe respektit reciprok ndërmjet popujve. Ajo mbetet një dëshmi e gjallë e mënyrës se si një komunitet mund të ruajë identitetin dhe traditat e veta, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin dhe pasurimin e shoqërisë ku jeton.
Përvjetori i 300-të i komunitetit Arbanas në Zarë nuk ishte vetëm një kujtesë historike, por edhe një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe forcimit të lidhjeve mes popujve të Adriatikut. Në një kohë kur identitetet kulturore përballen me sfida të shumta, historia e Arbanasëve mbetet një shembull frymëzues i qëndresës, krenarisë dhe bashkëjetesës, njofton Ambasada e Shqipërisë në Kroaci, transmeton helveticALForum.ch.




