POSTIMET E FUNDIT

Thaçi nga Haga: Besimi te qytetarët e Kosovës i palëkundur, progresi i vendit i pakthyeshëm

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, nga Haga ku po përballet me proces gjyqësor, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur qëndrimin e tij të palëkundur për të ardhmen e vendit, duke theksuar se besimi tek qytetarët dhe rrugëtimi i Kosovës drejt progresit nuk mund të zbehen nga asnjë rrethanë.

Ai ka deklaruar se, pavarësisht izolimit dhe vështirësive që po përjeton gjatë viteve të fundit në paraburgim, mbetet i bindur se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara. Thaçi ka theksuar se zhvillimi dhe përparimi i shtetit janë procese tashmë të konsoliduara, që nuk varen nga individë të veçantë.

Duke reflektuar mbi zhvillimet globale, përfshirë konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, ai është shprehur se ka përjetuar personalisht standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve të ndryshme ndërkombëtare. Megjithatë, ai ka nënvizuar se asnjë “forcë fizike apo furtunë politike” nuk mund ta lëkundë besimin e tij tek qytetarët e Kosovës.

“Nuk ka rëndësi nëse unë jam apo jo në Kosovë – procesi i shtetndërtimit është i përfunduar dhe i pakthyeshëm. Edhe nëse sot ka individë që mund të pendohen padrejtësisht për pavarësinë e Kosovës, kjo nuk e ndryshon realitetin. Unë mund të jem në burg, por jam i bindur se Kosova do të vazhdojë të përparojë,” është shprehur ai.

Sa i përket procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij, Thaçi ka theksuar se po përballet me një periudhë të gjatë izolimi, tashmë në vitin e gjashtë, ende pa një vendim përfundimtar. Ai ka përmendur edhe qëndrimin e ekspertit politik amerikan Daniel Serwer, i cili sipas tij ka vlerësuar se procesi ka devijuar nga misioni i drejtësisë.

“Siç është theksuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, drejtësia duhet të bazohet në të vërtetën dhe jo në hakmarrje. Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë se kaq,” ka thënë ai.

Në vijim, Thaçi ka folur edhe për raportet me Serbinë dhe historikun e përpjekjeve për të penguar pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, Serbia ka dështuar në përpjekjet e saj për ta ndalur lirinë dhe shtetësinë e Kosovës gjatë tri dekadave të fundit, ndërsa tani po tenton një qasje tjetër.

“Sot përpjekja është për të kriminalizuar vetë procesin e shtetformimit të Kosovës përmes proceseve gjyqësore. A do të kenë sukses në këtë? Shpresoj që jo. Besoj se ende ekzistojnë njerëz me integritet dhe vlera profesionale. Gjyqtarët gjatë këtij procesi kanë pasur mundësi të shohin të vërtetën – dhe ajo është parë edhe nga opinioni ndërkombëtar. Vendimi tashmë është në dorën e tyre,” ka përfunduar ai, transmeton tvklan, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB