POSTIMET E FUNDIT

Rama në Samitin Europian në Armeni, pritet nga homologu Pashinyan

Nis punimet Samiti i Komunitetit Politik Europian në Yerevan, ku marrin pjesë 48 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Evropa. Mes tyre është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili do të jetë pjesë e panelit kryesor të këtij takimi të 8-të, që zhvillohet nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Evropë”.

Kryeministri Rama është pritur mëngjesin e sotëm nga kryeministri armen Nikol Pashinyan pak para nisjes së punimeve të samitit.

Në një deklaratë për mediat, Rama ka vlerësuar rëndësinë e samitit të Komunitetit Politik Europian, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për bashkëpunim dhe koordinim mes vendeve.

Rama u shpreh se ky samit përbën një hapësirë të vlefshme për të ndarë qëndrimet dhe shqetësimet e përbashkëta, si dhe për të diskutuar mbi sfidat aktuale me të cilat përballet kontinenti.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe zhvillimit të përbashkët.

“Është një tjetër samit, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një tjetër mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet tona të përbashkëta. Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Europës. Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europian”, deklaroi ai.

Pyetur së çfarë mund t’i ofrojë Unioni vendeve kandidate, Rama theksoi se një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm.

“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian.

Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, shtoi ai.

Në vijim, Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u mikpritën nga Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan. Sipas raportimit të gazetares së RTSH, Denada Shkodrani, kreu i qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe gjatë qëndrimit të tij në Armeni, ku mes tyre përfshihet kryeministrin Pashinyan, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe liderë të tjerë europianë.

Në samit kanë mbërritur gjithashtu figura të rëndësishme të politikës europiane dhe ndërkombëtare, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Diskutimet në këtë format pritet të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, çështjet e energjisë, si dhe krizat globale dhe konfliktet në vijim. Ndërkohë, në përfundim të punimeve, pritet të publikohet një deklaratë e përbashkët mbi qëndrimet dhe hapat e ardhshëm.

 “Kryeministri Rama në një prononcim ditën e djeshme për RTSH u shpreh së angazhimi i Shqipërisë mbetet unioni evropian. Liderët e rëndësishëm të BE kanë mbërritur në samit, presidentja Von der Leyen, Antonio Costa, Giorgia Meloni, Emmanuel Macron, përfaqësues të qeverive të tjera të vendeve anëtare të unionit për të diskutuar për hapat që duhen marrë për forcimin e bashkëpunimit dhe çështje të tjera prioritare, luftërat e hapura. Pak më parë mbërriti dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Formati i 8-të parashikon fokusin e diskutimeve të tij që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dypalësh, çështjet e energjisë dhe krizat globale. Gjatë qëndrimit në Jerevan, Rama pritet  të ketë një takim me kryeministrin e këtij vendi organizator dhe me presidentin Macron dhe liderë të tjerë. Janë të shpeshta takimet e Ramës me homologen italiane Giorgia Meloni.

Kryeministri Edi Rama do jetë i pranishëm në panelin kryesor të këtij formati të rëndësishëm që pritet rreth pasdites të dalë me një deklaratë për qëndrimet që do të merren”, deklaroi gazetarja Denada Shkodrani, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB