Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se data 7 qershor konsiderohet si më e përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas një takimi të zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Në një prononcim për media, Radoniqi bëri të ditur se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar dy opsione të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve – 31 maj ose 7 qershor – duke shtuar se, sipas vlerësimit të KQZ-së, data e dytë është më e favorshme për përgatitje më të mirë të procesit zgjedhor.
“Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar që data e zgjedhjeve mund të jetë 31 maj ose 7 qershor. Për mendimin tonë është 7 qershori, por le t’i mbetet presidentes të vendosë”, theksoi ai.
Megjithatë, ai sqaroi se vendimi përfundimtar për datën do të merret më vonë nga institucioni përkatës, ndërsa KQZ ka kërkuar që të ketë sa më shumë kohë në dispozicion për të siguruar një organizim sa më efikas dhe transparent të zgjedhjeve.
Sa i përket aspektit financiar, Radoniqi bëri të ditur se buxheti i parashikuar për këto zgjedhje pritet të jetë afërsisht i njëjtë me atë të zgjedhjeve të kaluara.
“Çështja e buxhetit është diskutuar në KQZ dhe besoj se do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara. Sa i përket datës, kemi kërkuar sa më shumë kohë për përgatitje”, përfundoi ai.
Vendimi për datën e zgjedhjeve pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikën politike në vend, ndërsa institucionet përkatëse mbeten të përkushtuara për një proces të rregullt dhe demokratik, transmeton rtk.




