Nga Kastriot Fetahu
E vetmja vlerë që kemi si njerëz janë rreziqet që jemi gati të ndërmarrim. Emigranti udhëton me besim të verbër, me shpresa të trembura, në tokë, det dhe qiell. E besueshmja do të shërbejë si e vërtetë, me modele urbane në kufijtë e legjendës. Nuk e di se çfarë menduan Noli, Konica apo shumë të tjerë në udhëtimin e tyre drejt Tokës së Premtuar, por unë besoja se liria e munguar nuk do të ishte më tej një ëndërr për mua.
Ndërsa mendoja kështu, në sallën e “Çunat Shqiptarë të Bostonit” mbërriti Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Duartrokitjet më zgjuan idenë e Shqipërisë në Beverly, këtë qytet me emër ekzotik në shtetin Massachusetts. Fjalimet e rastit theksonin se shqiptarët e Amerikës janë të bashkuar dhe luftëtarë për të realizuar ëndrrat dhe kuptimin e jetës me vizion perëndimor. Midis tyre, kryetari i Vatra Boston, Mentor Maksutaj, shprehu gëzimin dhe shpresën për këtë takim, ku nuk ka dallim idesh dhe besimesh fetare.
Një koncert me këngë atdhetare nga grupe fëmijësh dhe të rriturish erdhi si një buqetë malli dhe dashurie për atdheun.
Emigranti nuk resht së shpresuari dhe beson se një ditë do të fillojë të jetojë si një shkrepëtimë e arsyes për të cilën la vendin e tij, mes një trishtimi frenues për udhën që ndërmerr. Janë këto këngë që më sjellin idetë e njerëzve që ekzistencialen dinë ta zbresin në kufijtë minimalë, duke i përdorur si pedanë të ëndrrave të tyre.
Ishte një koncert ku do të veçoj vallen e Osman Takës. Osman Taka ishte i burgosur në Janinë dhe u dënua me vdekje. Kur u pyet për dëshirën e tij të fundit, ai kërkoi të kërcente. Tradita popullore thotë se vallëzimi i tij ishte aq i bukur sa që xhandarët e ushtrisë osmane nuk e ekzekutuan. Pas disa ditësh, Osman Taka u kap sërish dhe u vra në Konispol.
Në këtë festë nuk kemi kufij realë me Çamërinë, Kosovën, Preshevën e Bujanovcin apo Strugën dhe shqiptarët e Maqedonisë.
Më pas, përsëri fjalime, ku më impresionoi kryetari i bashkisë së Beverly-t, qytetit që na hapi dyert.
“Ju jeni nga Beverly, sepse jeni këtu tani, pikërisht në Beverly”, deklaroi ai në fjalimin e tij, me konsideratë të lartë për komunitetin shqiptar.
Pastaj, në fjalën e saj, zëvendësguvernatorja e Massachusetts, me entuziazëm deklaroi: “Ju keni një kulturë të jashtëzakonshme, një muzikë të jashtëzakonshme, një ushqim të jashtëzakonshëm.” Më shumë se drithëruese kjo konsideratë e saj për kombin shqiptar. Dhe kur mendoj se është zyrtarja e dytë më e lartë në Massachusetts, në shtetin ku zbarkuan kolonët e parë anglezë, shtetin ku ata u rebeluan kundër vendit nga erdhën, Anglisë, me “Luftën e Çajit”. Është ky shtet që bëri të mundur të kemi sot vendin flamur të demokracisë në botë, SHBA.
Pas saj Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti një fjalim ku shqiptaria ishte emëruesi i përbashkët. Në të shkëlqeu ideja për bashkimin e shqiptarëve pa kufij, në ndërtimin e shtetit amë me standardet ku jetojnë në Perëndim dhe Amerikë. Le të shpresojmë se ëndrrat për atdheun do të bëhen realitet, si ëndrrat e emigrantëve në këtë vend të bekuar ku jetoni. Ju nuk jeni larg Shqipërisë, ju jeni pjesë e Shqipërisë.
Ndërsa mendoja se shqiptarët jashtë trojeve janë si reaktor, jo bërthamor, por reaktor idesh, më erdhi në mendje se edhe figura si Mira Murati, e standardeve më të larta botërore, jeton në këtë vend të bekuar. Vatra e Bostonit shkëlqeu edhe këtë herë me këtë veprimtari, ku nuk mungoi as interesi dhe pjesëmarrja e kryesisë së Panfederatës “Vatra”. Një mik i vyer, Besim Malota, erdhi nga New York-u për të sjellë përshëndetjet e saj.
Ndjej që mund të bëjmë ndryshimin. Po luftojmë për një kauzë të drejtë, kauzën shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. Sepse për mua atdheu është ylli në qiellin tim të errët. Dhe unë jam një emigrant./GD
Foto: Noli Tv




