Nga Bledar Prifti, Ph.D.
Më 26 Prill, Vatra Tampa Bay dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i Tampa Bay festuan me krenari të merituar 114-vjetorin e themelimit të organizatës panshqiptare Vatra. Ky jubile nuk është vetëm një datë historike, por një moment reflektimi mbi kontributin e jashtëzakonshëm që Vatra ka dhënë për çështjen kombëtare shqiptare gjatë një shekulli e më shumë.
Që nga themelimi i saj në vitin 1912, Vatra ka qenë një nga shtyllat kryesore të luftës për liri, unitet dhe mbrojtje të interesave shqiptare. Gjatë Luftës së Parë Botërore, në një periudhë shumë të vështirë për kombin tonë, Vatra veproi praktikisht si qeveria në mërgim e Shqipërisë. Me vizion dhe vendosmëri të madhe, ajo loboi fuqishëm pranë kancelarive perëndimore për të ruajtur integritetin territorial të atdheut tonë. Një nga veprimet më konkrete të asaj kohe ishte mbledhja e rreth 150.000 dollarëve – një shumë që sot vlen afro 5 milionë dollarë – të cilat u vunë në shërbim të çështjes shqiptare. Kjo sakrificë dëshmon qartë besnikërinë dhe dashurinë e thellë të patriotëve tanë për Shqipërinë.
Zëri i Vatres u forcua edhe më tej përmes gazetës “Dielli”, e drejtuar atherë nga intelektuali dhe patrioti i shquar Faik Konica, i cili e ktheu këtë botim në një mjet të fuqishëm për përhapjen e ndërgjegjes kombëtare.
Në të njëjtën periudhë, Fan Noli, një nga themeluesit kryesorë të Vatres, luajti një rol historik në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, duke kontribuar kështu në forcimin e identitetit kombëtar dhe shpirtëror të popullit shqiptar.
Në kohën e sotme, Vatra vazhdon të mbajë të njëjtin mision me përkushtim të plotë. Ajo lobon pa pushim për mbrojtjen dhe avancimin e interesave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, punon për bashkimin kombëtar dhe angazhohet me përgjegjësi në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar kudo në botë. Vatra mbetet një urë e fortë lidhëse midis diasporës dhe atdheut.
Si degë e nderuar e organizatës mëmë, Vatra Tampa Bay është plotësisht e angazhuar për të çuar përpara këtë trashëgimi të lavdishme. Ajo synon të shërbejë me përkushtim komunitetin shqiptaro-amerikan në Tampa Bay, në të gjithë Floridën dhe më gjerë, duke mbajtur gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe duke edukuar brezat e rinj me vlerat patriotike. Festimi i 114-vjetorit u zhvillua në një atmosferë dinjitoze, plot gëzim, unitet dhe ndjenja të thella patriotike. Ky eveniment na kujton të gjithëve se uniteti, puna e organizuar dhe dashuria për atdheun mbeten arma më e fortë e kombit shqiptar. /GD
Rroftë Vatra!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë kombi shqiptar!




