POSTIMET E FUNDIT

Miqësi, kujtime dhe bujari shqiptare në zemër të Comos

Nga Arsim Mulliqaj, Milano

Dje, me të vërtetë u kënaqa! Në ora 12:43 u nisa nga Milano për në Liqeni i Komos – Como, ku më priste arbëreshi Mario.

Kishte 15 vite që nuk e kisha takuar mikun tim të ditëve të para, që nga koha kur e fillova jetën në Milano. Pas publikimit të librit tim, Mario e bleu atë dhe më bëri një dedikim me një mjeshtri që më la mbresa të thella. Dedikimi i tij prej dy faqesh u pëlqye edhe nga profesorët e universitetit këtu në Milano, gjë që më bëri të ndihesha i detyruar ta takoj mikun tim të vjetër.

Në Como u takuam dhe, pranë stacionit të trenit, morëm nga një kafe për të vazhduar më tej. Në tavolinën pranë ishte ulur një zotëri i quajtur Tito. Gjatë bisedës e pyeta për byrektoren “Kastriota”, me qëllim që të drekonim bashkë me Marion. Tito na tregoi edhe për një restorant të një shqiptari nga Kosova në Piazza Roma. Fillimisht shkuam në byrektore dhe e përfunduam drekën aty.

Për kafe vendosëm të shkojmë te restoranti “Roma”, buzë liqenit piktoresk të Comos, në pronësi të Eshtref Hysës. Edhe pse orari i drekës kishte përfunduar, dëshira ime ishte ta njihja zotëriun për të cilin na foli Tito. Menjëherë u ngrit në këmbë fisniku Eshtref Hysa dhe na uroi mirëseardhje. Ajo që mendoja se do të ishte një ndalesë e shkurtër për kafe, u shndërrua në një përjetim të paharrueshëm.

Në restorantin e tij u ndjeva si në shtëpinë time. Klientët e përshëndesnin me simpati duke e thirrur “Gjoni” – “Ciao Gjoni!”. Ishte e dukshme se ai kishte ndërtuar një raport të veçantë me secilin. Nga një rastësi e bukur, në tavolinë kisha disa libra dhe me kënaqësi i dhurova një kopje me dedikim Gjonit.

Dita mori një kthesë të papritur. Gjatë bisedave, miku im Mario po përjetonte nga afër bujarinë dhe mikpritjen shqiptare. Gjoni më lidhi përmes telefonit me ish-ambasadorin e Republikës së Kosovës, Ylber Hysa (kusheririn e tij të parë), më pas me gazetarin Kushtrim Sadiku, veprimtarin Engjëll Koliqi dhe në fund me bashkëvendasin tim Gani Hoxha, të cilin e ftoi për darkë.

Gani Hoxha erdhi enkas nga Lugano. Ndërkohë, Gjoni propozoi një shëtitje buzë liqenit, nëpër lokalet luksoze të zonës. Kudo që shkonim, ai njihej dhe respektohej. Në çdo vend na ofronte pije, ushqime dhe mbi të gjitha – bujari të rrallë. Vizituam edhe galeri arti, ku më bëri përshtypje njohuria dhe përgatitja e tij në fusha të ndryshme të jetës.

Në mbrëmje, rreth orës 18:30, mbërriti i ftuari i tij, Gani Hoxha. Darka ishte madhështore. Përveç ushqimit të përgatitur me përkushtim, aty ishte edhe familja e Gjonit – bashkëshortja dhe dy djemtë e tij të mrekullueshëm.

Gani Hoxha njihet për veprimtarinë e tij atdhetare dhe shtetformuese që nga viti 1981, si pjesë e “Çetës së Llapit” dhe më pas në përpjekjet e qeverisë në ekzil. Ishte një kënaqësi e veçantë të dëgjoja rrëfime që më parë nuk i kisha dëgjuar. Edhe atij i dhurova librin tim “La mia eco per la libertà del Kosovo”, duke i bërë një dedikim me shumë respekt.

Në këtë darkë nuk mori pjesë arbëreshi Mario, por ai dërgoi një letër falënderimi për gjithçka që Gjoni kishte ofruar gjatë gjithë ditës.

Dita u përmbyll rreth orës 22:30 në ambientet e pronës së Eshtref Hysës në Piazza Roma, Como. Me mirënjohje të thellë e falënderuam për gjithçka, ashtu si edhe Gani Hoxhën që erdhi nga Lugano. Të gjitha shpenzimet u mbuluan nga fisniku Eshtref Hysa – Gjoni.

Dje nuk ishte thjesht një ditë. Ishte një dëshmi e gjallë e miqësisë, e rastësive që kthehen në kujtime të paharrueshme dhe mbi të gjitha, e shpirtit të madh të mikpritjes shqiptare në brigjet e Liqeni i Komos.

Enkas për helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB