POSTIMET E FUNDIT

Bariu që u bë mburojë

(Reflektim nga Dr. Don Anton Uka mbi jetën dhe dëshminë e Don Kelmend Spaqit, mbajtur në Grosswangen – Luzern, më 25 prill 2026, gjatë Meshës përkujtimore kushtuar shpirtit të tij)

E nderuara Shkëlqësia Juaj Marian Eleganti

E dashur familje e don Kelmend Spaqit

Të dashur miq dhe dashamirë të Kishës Katolike

Të dashur vëllezër dhe motra

Në festën e Shën Markut, jemi mbledhur për të përkujtuar dhe nderuar veprën dhe jetën e don Kelemnd Spaqit, dhe për këtë Meshë kam zgjedhur posaçërisht një fragment të Ungjillit të këtij apostulli të madh, i njohur për rrëfimin e tij të drejtpërdrejtë, të gjallë dhe thellësisht njerëzor të jetës, mundimeve dhe ringjalljes së Krishtit.

Fjala e Ungjillit na vë përballë një prej rrëfimeve më të fuqishme dhe më prekëse të jetës së Jezu Krishtit: mundimit, vdekjes dhe ringjalljes. Ky rrëfim nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës që paraqet ngjarjen reale të kryqit, por një çelës i thellë për të kuptuar historinë njerëzore, veçanërisht ato çaste kur jeta përballet me errësirën, dhimbjen dhe padrejtësinë. Në këtë dritë, edhe historia e popullit tonë në kohë lufte, së bashku me dëshminë e Don Kelmend Spaqit, shfaqen si një pasqyrim i gjallë dhe konkret i Ungjillit të jetuar.

Ungjilli sipas Markut fillon me një imazh të fortë: “Kur u bë ora gjashtë, errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë.” Kjo errësirë nuk është vetëm një fenomen kozmik; ajo është simbol i një bote të tronditur, i një rendi që duket se është përmbysur. Në këtë errësirë mishërohet përvoja e çdo populli që kalon nëpër dhunë dhe pasiguri. Edhe populli ynë e ka njohur këtë errësirë në mënyrë konkrete: netët e mbushura me frikë, ditët e pasigurta, humbjet që lëndojnë jo vetëm trupin, por edhe shpirtin. Errësira e Ungjillit bëhet kështu errësira e historisë sonë.

Në mes të kësaj errësire, Jezusi thërret: “Hyji im, pse më ke braktisur?” Kjo britmë është një nga momentet më të thella të Shkrimit Shenjt. Ajo nuk është vetëm një thirrje dhimbjeje, por një shprehje e plotë e përvojës njerëzore kur përballet me misterin e vuajtjes. Kjo britmë ka jehuar edhe në historinë tonë: në zemrat e njerëzve që humbën të dashurit, që u detyruan të largohen, që panë të shkatërrohej jeta e tyre. Por ashtu si në kryq, kjo britmë nuk është fundi i besimit; është një thirrje që ngjitet drejt Hyjit edhe në momentin më të errët.

Pas kësaj, Ungjilli na thotë: “Jezusi lëshoi një britmë të madhe dhe dha shpirt.” Dhe menjëherë, “kultrina e tempullit u nda më dysh prej majës deri në fund.” Ky është një moment kyç: ajo që duket si fundi, në të vërtetë është një fillim i ri. Perdja që ndahet simbolizon hapjen e një rruge të re ndërmjet Hyjit dhe njeriut. Edhe në historinë tonë, në mes të dhimbjes, janë hapur rrugë të reja: solidariteti, bashkimi, forca për të vazhduar përpara.

Në këtë sfond të errësirës dhe shpresës lind dëshmia e Don Kelmend Spaqit, e cila bëhet një Ungjill i jetuar. Në momentin kur jeta e shumë njerëzve të strehuar në kishë ishte në rrezik, ai tha: “Më vrisni së pari mua, pastaj murgeshat, dhe vetëm atëherë mund ta vrisni popullin tim.” Këto fjalë janë një jehonë e drejtpërdrejtë e fjalëve të Krishtit: “Bariu i mirë jep jetën për delet e veta.” Në këtë akt, ai nuk mendon për veten, por vendoset si mburojë për të tjerët. Ai bëhet pikërisht ajo që Ungjilli përshkruan: një bari që nuk ikën përballë rrezikut, por qëndron.

Në këtë ngjarje shfaqet edhe një dimension i thellë bashkësie. Don Kelmend Spaqi nuk flet vetëm për veten: “së pari mua, pastaj murgeshat… populli im.” Kjo është një “ne” që qëndron përballë dhunës. Në kohë lufte, rreziku më i madh është shpërbërja e lidhjeve njerëzore, izolimi dhe humbja e besimit tek tjetri. Por këtu ndodh e kundërta: krijohet një bashkësi që qëndron e bashkuar, një trup që mbron veten përmes dashurisë.

Kjo bashkësi nuk ishte e kufizuar nga përkatësia fetare. Dëshmia e don Kelmendit merr një madhështi edhe më të thellë sepse ai ishte i gatshëm të mbronte çdo njeri – katolik e mysliman – pa dallim. Në këtë qëndrim shfaqet jo vetëm një virtyt i lartë shpirtëror, por edhe një vlerë e madhe njerëzore dhe kombëtare. Ai nuk pa ndarje, por një popull; nuk pa dallime, por dinjitetin e përbashkët njerëzor. Në një kohë kur dhuna përpiqej të përçante, ai u bë urë bashkimi.

Kjo e bën dëshminë e tij edhe më të fuqishme: një “ne” që nuk ndërtohet mbi përjashtimin, por mbi përfshirjen; një bashkësi që nuk mbijeton përmes forcës, por përmes dashurisë dhe solidaritetit. Dhe pikërisht në këtë bashkim të zemrave, në këtë mbrojtje të njëri-tjetrit pa dallim, shfaqet fytyra më e bukur e njeriut dhe e kombit tonë.

Ungjilli përmend edhe gratë që qëndrojnë pranë kryqit: “prej së largu vërenin edhe disa gra…” Kjo prani e heshtur është një nga dëshmitë më të forta të besnikërisë. Ato nuk largohen, edhe kur gjithçka duket e humbur. Kjo na kujton murgeshat në historinë e Kishës dhe popullit të Gllogjanit, na kujton nënat tona të cilat qëndruan pranë popullit në kohët më të vështira. Ato u bënë duar që shërojnë, zemra që dëgjojnë, prani që ngushëllon. Ashtu si gratë e Ungjillit, ato nuk ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve me forcë, por me dashuri – dhe kjo dashuri ishte thelbësore për të mbajtur gjallë shpresën.

Pas vdekjes, Ungjilli na çon te varri. Gratë pyesin: “Kush do ta rrokullisë gurin?” Ky gur është simbol i çdo pengese që duket e pakapërcyeshme: frika, trauma, dhimbja, kujtimet e një historie të plagosur. Edhe populli ynë është përballur me gurë të tillë: plagë që duken të pamundura për t’u shëruar, kujtime që rëndojnë shpirtin. Por Ungjilli sjell një kthesë të papritur: guri është tashmë i rrokullisur. Hyji ka vepruar përpara se njeriu ta kuptojë.

Ky është kulmi i shpresës: “Ai u ngjall, nuk është këtu.” Ringjallja nuk është vetëm një ngjarje e Jezusit, por një mënyrë e të vepruarit të Hyjit në histori. Ajo na tregon se errësira nuk ka fjalën e fundit, se vdekja nuk është fundi, se dashuria është më e fortë se çdo dhunë.

Në dritën e kësaj, dëshmia e don Kelmendit dhe e murgeshave merr një kuptim edhe më të thellë. Ato nuk ishin vetëm akte mbrojtjeje në një moment të caktuar, por shenja konkrete të ringjalljes që fillonte të vepronte brenda historisë sonë. Sepse aty ku dikush zgjedh të japë jetën për tjetrin, aty fillon një realitet i ri. Aty lind një shpresë që nuk mund të shuhet.

Nga një këndvështrim psiko-shpirtëror, kjo histori na tregon se edhe në momentet më të vështira, njeriu nuk është i dënuar të mbetet rob i frikës. Ai ka mundësinë të zgjedhë dashurinë. Dhe kjo zgjedhje, sado e vogël të duket, ka fuqi të jashtëzakonshme: ajo shëron, bashkon, ringjall.

Dhe në fund, në këtë rrugë nga kryqi drejt jetës, qëndron një figurë e heshtur, por e fortë: Zoja e Bekuar. Ajo që qëndroi nën kryq, pa u larguar, pa e humbur besimin, është modeli i njeriut që nuk dorëzohet përballë errësirës. Në të shohim shpresën që qëndron, besimin që pret, dashurinë që nuk shuhet.

Prandaj, edhe historia jonë nuk është vetëm histori vuajtjeje. Është histori që kalon nëpër kryq, por që është e thirrur për ringjallje. Është histori ku errësira është reale, por nuk është përfundimtare. Sepse aty ku njeriu zgjedh dashurinë në vend të frikës, aty ku dikush bëhet mburojë për tjetrin, aty ku bashkësia qëndron e fortë – aty fillon ngadhënjimi i jetës mbi vdekjen, i dritës mbi errësirën, i shpresës mbi çdo dëshpërim.

Në përfundim, me zemër mirënjohëse dhe plot besim, i drejtohemi Hyjit me lutje për shërbëtorin e Tij besnik:

O Zot i jetës dhe i mëshirës,

Ti që njeh thellësinë e çdo zemre dhe sakrificën e çdo shpirti,

prano në paqen Tënde shpirtin e shërbëtorit Tënd, Don Kelmend Spaqit.

Ti që e thirre të jetë bari i popullit Tënd,

që të qëndrojë pranë të vuajturve,

që të mbrojë jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu pa dallim,

shpërbleje për dashurinë e tij, për guximin e tij dhe për flijimin e tij.

Fale çdo mangësi njerëzore

dhe pranoje në dritën e amshuar,

aty ku nuk ka më dhimbje, as frikë, por vetëm paqe dhe jetë.

Bëj që dëshmia e tij të mbetet dritë për ne,

që të mësojmë të duam më shumë, të shërbejmë më me përvujtëri

dhe të qëndrojmë të fortë në besim edhe në sprova.

Dhe një ditë, bashkë me të gjithë ata që kanë jetuar në dashurinë Tënde,

na bëj pjesëtarë të gëzimit të përjetshëm. Amen transmeton Misioni Katolik Shqiptarë në Luzern të Zvicrës, përcjell helveticALForum.ch.

Foto: Nue Tuqi

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB