Nis rrugëtimin drejt Eurosong 2026 kënga ’’Nan’’, që do të përfaqësojë Shqipërinë nga artisti Alis Kallaci, fituesi i edicionit të 64-t të këngës në RTSH.
Në hollin e RTSH-së, u zhvillua një ceremoni e veçantë për delegacionin shqiptar drejt një prej eventeve muzikore më të rëndësishme evropiane ku mori pjesë ambasadorja austriake, Monika Zach, e cila u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili.
Me bashkëpunimin e ambasadës austriake dhe me mbështetjen Drejtoreshës së Përgjithshme, Eni Vasili, RTSH është investuar gjerësisht, për përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë në edicionin e 70-të të Eurosong.
Ndërsa shprehu të gjithë mbështetjen e saj dhe të institucionit që drejton, drejtoresha e RTSH-së u shpreh entuziaste për këtë fazë kaq të rëndësishme, duke thënë se kënga ’’Nan’’ do të ketë me vete zemrat e të gjithë shqiptarëve.
“Këto festa janë të rëndësishme, nuk mund të bëhen pa bashkëpunëtorët tanë. Kështu që edhe një herë i shpreh falënderimet ambasadores dhe ambasadës austriake për realizimin e këtij eventi të veçantë. RTSH e ka mbështetur pa kushte deri tani këtë artist dhe do të vazhdojë ta mbështesë, kështu që Alis, forca dhe suksese dhe ki parasysh që në Vjenë do të marrësh me vete të gjitha zemrat e shqiptarëve”, tha Vasili.
Po aq vlerësim dhe mbështetje kënga ’’Nan’’ ka gjetur edhe nga ambasada e Austrisë, vendi ku do të zhvillohet Eurosong 2026. Për të uruar artistin ambasadorja Zach zgjodhi të flasë në gjuhën shqipe.
“Alis, të urojmë gjithë të mirat dhe një përvojë të bukur, me takime të mira dhe miq të rinj”, uroi ambasadorja Zach.
Këngëtari Alis do të ngjitet në skenën e Eurovisionit jo vetëm si përfaqësues i Shqipërisë, por edhe për të përcjellë një mesazh të fortë, po me aq emocione dhe ndjeshmëri që përcolli tek publiku shqiptar kur u shpall fitues.
“Më duket sikur ëndrra e Alisit të vogël po bëhet realitet. Jam mirënjohës, në radhë të parë publikut, që i dha këngës këtë dashuri”, u shpreh këngëtari.
Surprizë e kësaj mbrëmje të veçantë të mbajtur në ambientet e RTSH ishte edhe një video mesazh dërguar nga artisti fitues austriak në Eurosong i një viti më parë.
Shoqëruar nga videoklipi që sjell një vizion artistik elegant ku në qendër është figura e nënës së tij, të cilën shpreson ta bëj edhe më shumë krenare, Alis ngriti sërish zemrat peshë teksa interpretoi këngën, transmeton rtsh.




