POSTIMET E FUNDIT

Si po shpëtohet trashëgimia shqiptare në diasporë? Të shtunën intervista ekskluzive me Flora Balaj

Të shtunën më 25 prill lexoni intervistën ekskluzive me Flora Balaj – një rrëfim i fuqishëm për ruajtjen e identitetit shqiptar përmes veshjes tradicionale në diasporë

Intervistoi Dashnim HEBIBI

Të nderuar lexues, këtë të shtunë, më 25 prill, në kuadër të një ngjarjeje të veçantë kulturore që do të mbahet në Bernë të Zvicrës, do të keni mundësinë të lexoni intervistën e plotë dhe mjaft domethënëse me një nga figurat më frymëzuese të diasporës shqiptare.Si një paralajmërim i kësaj interviste, po sjellim për ju disa fragmente nga rrëfimi i znj. Flora Balaj – një emër që prej vitesh lidhet ngushtë me përkushtimin ndaj ruajtjes, kultivimit dhe promovimit të veshjeve tradicionale shqiptare.

Në një kohë kur globalizimi shpesh sfidon dhe zbeh identitetet kulturore, ajo përfaqëson një shembull të gjallë se si tradita mund të mbrohet, të ringjallet dhe të përcillet me dinjitet te brezat e rinj, edhe larg atdheut. Rrugëtimi i saj nis menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një periudhë të vështirë kur shumë elementë të trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë veshjet tradicionale, ishin shkatërruar apo zhdukur.

Pikërisht në këtë moment, ajo dhe bashkëshorti i saj morën një vendim të madh: t’i përkushtoheshin ruajtjes së këtij thesari kombëtar. Me shumë punë, sakrifica dhe dashuri të pakushtëzuar për kulturën shqiptare, ata filluan të kërkojnë, rikonstruktojnë dhe prezantojnë veshjet tona të lashta.Edhe pse pa mbështetje të mirëfilltë institucionale, rrugëtimi i tyre nuk u ndal. Përkundrazi, ai u shndërrua në një mision të qartë: ruajtja e identitetit kombëtar përmes veshjes tradicionale. Një ndër sfidat më të mëdha në këtë proces ka qenë gjetja e kostumeve autentike, të cilat sot janë gjithnjë e më të rralla dhe në rrezik zhdukjeje, si dhe ruajtja e besnikërisë ndaj origjinalit gjatë rikrijimit të tyre.

Puna e znj. Balaj nuk është kufizuar vetëm në Zvicër. Ajo ka prezantuar veshjet tradicionale shqiptare në shumë vende të Evropës dhe në trojet shqiptare, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe komunitetet arbëreshe në Itali. Kudo është pritur me respekt dhe admirim, duke dëshmuar se vlerat tona kulturore kanë një jehonë të fortë kudo ku jetojnë shqiptarët. Veçanërisht domethënës është fakti se të rinjtë në diasporë po tregojnë një interes gjithnjë në rritje për këto veshje, duke i përqafuar ato si pjesë të identitetit të tyre. Ky është një sinjal shprese se trashëgimia jonë kulturore jo vetëm që po ruhet, por edhe po rilind me energji të re.

Në eventin e 25 prillit në Bernë, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë nga afër këtë pasuri të jashtëzakonshme kulturore përmes dokumentarit “Kostume Popullore – Identitet Kombëtar”, si dhe përmes dy koleksioneve të reja të dizajnuara nga vetë Flora Balaj, të frymëzuara nga tradita shqiptare dhe të sjella me një frymë bashkëkohore.Mesazhi që ajo përcjell është i qartë dhe i fuqishëm: identiteti kombëtar nuk është diçka që ruhet vetvetiu – ai kërkon përkushtim, dashuri dhe punë të vazhdueshme. Dhe pikërisht këtë mision ajo e ka kthyer në pjesë të jetës së saj.

Në mbrëmjen e 25 prillit do të jenë të pranishme shumë personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe do të ketë një program shumë të pasur. Ejani dhe përjetoni një mbrëmje të paharrueshme, duke pasur parasysh se do të prezantohen veshjet kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare.

Intervistën e plotë, me rrëfime të sinqerta, sfida, suksese dhe plane për të ardhmen, do të mund ta lexoni këtë të shtunë ( nesër).

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB