POSTIMET E FUNDIT

Homazhe në Konsullatën e Kosovës në New York për Kongresmenin Eliot Engel

Nga Beqir SINA, New YORK

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan nderoi Kongresmenin Eliot Engel për punën e tij të jashtëzakonshme si ligjvënës dhe ish-Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme. New York – Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, në bashkëpunim me familjen Engel dhe veprimtarin Harry Bajraktari, organizoi një pritje ngushëllimi në nder të ish-kongresmenit Eliot Engel.

Homazhet u zhvilluan në ambientet e Konsullatës dhe mblodhën së bashku liderë të komunitetit shqiptaro-amerikan, aktivistë, miq të vjetër të të ndjerit, mes të cilëve Bruno Selimaj, Dem Balidemaj, Lou Fundo, Agim Rexhaj, Ibrahim Kolari, Mark Qehaj, Esad Gjonbalaj , Burim Nimon Rexhaj, e të tjerë.

Gjatë këtij veprimi përkujtimor, pjesëmarrësit kujtuan trashëgiminë e Eliot Engel si një nga mbështetësit më të vendosur të çështjes shqiptare në Kongresin amerikan. Lidhjen e tij me komunitetin filloi prej dekadash, kur si ligjvënës i ri nga Bronksi, Engel mori pranë vetes Harry Bajraktarin, një shqiptar nga Kosova. 

Kjo lidhje u shndërrua më pas në një miqësi të gjatë mbi 35 vjet që e ndihmoi Engel të ngrinte zërin e tij për Kosovën në Washington.

Si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel luajti një rol kyç për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Engel mbështeti fuqishëm procesin e demokratizimit të Shqipërisë, anëtarësimin e saj në NATO, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Për më shumë se tri dekada, zëri i tij mbeti i qëndrueshëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtësisë në Ballkan.

Gjatë homazheve, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të vjetër nënshkruan në Librin e Zi të Ngushëllimeve.

Ambasadori Blerim Reka, duke ftuar të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje, tha me respekt:

“Ai nuk ishte thjesht një politikan, por një aleat i sinqertë që qëndroi pranë popullit shqiptar në çastet më të vështira.”

Ndërsa Harry Bajraktari theksoi:

Ne shqiptarët jemi me fat që patëm një mik si Kongresmeni Engel, i cili për tri dekada punoi pa pushim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për demokratizimin e Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në NATO, si dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës.”

Prania e familjes Engel dhe e Harry Bajraktarit në Mision e Kosovës në Nju Jork, e ktheu këtë pritje përkujtimore në një moment uniteti, ku kujtimi i veprës së tij u ndje si urë midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Shteteve të Bashkuara.

Duke, shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e tij të pakursyer, pjesëmarrësit nënvizuan se lideri i vërtetë matet me ndikimin afatgjatë dhe besnikërinë ndaj parimeve. Uniteti që u shfaq gjatë këtyre ditëve, teksa i jepnin lamtumirën e fundit mikut të tyre, dëshmoi fuqinë e kujtimit kolektiv për të ruajtur vlerat e përbashkëta.”

Trashëgimia e Eliot Engel mbetet shembull i angazhimit të qëndrueshëm. Kombi shqiptar do ta mbajë gjallë kujtimin e tij si të një miku që ndihmoi në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ky takim në New York u bë kështu një homazh i denjë për një figurë që la gjurmë të thella në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Po ashtu, dje Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan nderoi Kongresmenin Eliot Engel për punën e tij të jashtëzakonshme si ligjvënës dhe ish-Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, duke prekur zemrat e shumë njerëzve në mbarë botën./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB