Përgatiti Dashnim HEBIBI
Më 25 prill 2026, në Kongresszentrum Allresto në Bern, do të mbahet një mbrëmje e veçantë kulturore që bashkon figura të rëndësishme të artit dhe kulturës shqiptare. Në qendër të kësaj ngjarjeje është regjisori dhe aktori i njohur i madhi Llesh Nikolla, së bashku me dizajneren Flora Balaj.

Llesh Nikolla do të prezantojë dokumentarin e tij “Kostume Popullore – Identitet Kombëtar”, një vepër që pasqyron thellë rëndësinë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe identitetit tonë ndër shekuj. Përmes këtij projekti, ai sjell një mesazh të fuqishëm për ruajtjen e traditave dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj.
Një kontribut të veçantë në këtë mbrëmje sjell edhe znj. Flora Balaj, e cila prej vitesh është e përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e kostumeve tona kombëtare. Ajo do të prezantojë krijimet e saj të frymëzuara nga motivet tradicionale, duke dëshmuar se kultura jonë vazhdon të jetojë dhe të zhvillohet në mënyrë moderne.
Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë edhe SH.K.A. Dardania Winterthur, e cila do të sjellë një program artistik të pasur me valle dhe elemente tradicionale, duke e bërë mbrëmjen edhe më të veçantë dhe autentike.
Ndër mysafirët e ftuar do të jenë edhe akademiku Zymer Neziri, i cili do të trajtojë dimensionin historik dhe identitar të kostumeve popullore, si dhe veprimtarja Sibela Alimovska nga Maqedonia e Veriut, duke i dhënë aktivitetit një dimension më të gjerë rajonal.
Kjo mbrëmje pritet të mbetet gjatë në kujtesë si një festë e vlerave tona kombëtare.
Ejani ta nderojmë këtë ngjarje të veçantë dhe të përkrahim kontributin e Llesh Nikolla, Flora Balaj dhe të gjithë atyre që punojnë për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.
Së shpejti një intervistë ekskluzive me znj. Flora Balaj.




