POSTIMET E FUNDIT

Nata e Pashkëve në Misionin Katolik Shqiptar në Luzern

Nata e shenjtë e Pashkëve zë një vend qendror në jetën e krishterë; është nata më e shenjtë dhe më e veçantë nga të gjitha, pasi përkujton ringjalljen e Krishtit dhe fitoren e jetës mbi vdekjen. Kjo natë, e mbushur me simbolikë dhe mesazhe shprese, u kremtua me solemnitet të veçantë në Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, ku morën pjesë një numër i madh besimtarësh shqiptarë.

Kremtimet u zhvilluan përmes dy Meshëve të Shenjta, njëra në Zug dhe tjetra në Luzern, duke dëshmuar për gjallërinë dhe përkushtimin e komunitetit katolik shqiptar në këto zona.

Ritet e kësaj nate filluan në oborrin Kishës me bekimin e zjarrit, një simbol i dritës së re që sjell Krishti në botë. Nga ky zjarr u ndez qiriu i Pashkëve, i cili përfaqëson Krishtin e ringjallur – dritën që nuk shuhet kurrë. Më pas, besimtarët hynë në Kishë në procesion, duke mbajtur qirinj të ndezur dhe duke kënduar, një veprim që shpreh kalimin nga errësira në dritë, nga mëkati në hir, nga vdekja në jetë.

Në vijim, liturgjia e fjalës përfshiu leximet biblike që paraqesin historinë e shëlbimit, duke udhëhequr besimtarët përmes momenteve kyçe të marrëdhënies së Zotit me njerëzimin dhe duke kulmuar me shpalljen e Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar. Këto lexime ndihmojnë besimtarët të kuptojnë më thellë planin hyjnor si dhe rolin dhe përgjegjësinë e tyre në këtë histori shpëtimi.

Në predikimin e tij, don Antoni u ndal te rëndësia e kësaj nate, duke theksuar se Pashkët, përveç përkujtimit të ngjarjes historike të ringjalljes së Krishtit, janë edhe një ftesë për ripërtëritje të brendshme, për forcimin e besimit dhe për vënien në praktikë të vlerave ungjillore në jetën e përditshme. Ai i ftoi të pranishmit që ta përjetojnë këtë kohë si një mundësi për reflektim dhe afrimitet më të madh me Zotin dhe njëri-tjetrin.

Kremtimi u pasurua nga angazhimi i shumë personave: kori me këngët liturgjike, lexuesit me shpalljen e fjalës së Zotit, ministrantët në shërbimin e altarit, si dhe këshilltarët dhe vullnetarët që kontribuan në organizimin e kësaj nate të veçantë. Ky bashkëpunim është dëshmi e një bashkësie të gjallë dhe të bashkuar rreth besimit dhe traditës.

Në përfundim të Meshës, u bë bekimi i bukës së Pashkëve, një rit i rëndësishëm në traditën shqiptare. Ky zakon, i ruajtur ndër breza, simbolizon bekimin e familjes, bashkimin dhe mirënjohjen ndaj Zotit për të mirat e jetës.

Ky kremtim i Natës së Pashkëve në Luzern nuk ishte vetëm një ngjarje liturgjike, por edhe një moment i fuqishëm formues për besimtarët, duke i ndihmuar ata të thellojnë kuptimin e fesë së tyre dhe të forcojnë lidhjet shpirtërore e kulturore në diasporë, transmeton Misioni Katolik Shqiptarë në Luzern, përcjell helveticALForum.ch

GËZUAR PASHKËT!

Foto: Nue Tuqi, Kastriot Frrokaj & Arben Gojani

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB