Filharmonia e Kosovës ka shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e saj artistike, duke realizuar një debutim të suksesshëm në Berlin dhe duke sjellë një mbrëmje të paharrueshme për publikun ndërkombëtar.
Në një sallë të mbushur plot, orkestra dhe kori i Filharmonisë së Kosovës performuan së bashku me Choralspace Festival Choir dhe Konzertchor Münster, nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood. Ky bashkëpunim i veçantë solli një përvojë unike korale 360°, duke krijuar një atmosferë gjithëpërfshirëse dhe emocionuese për të pranishmit.
Publiku e priti me entuziazëm këtë koncert, duke shpërblyer interpretimet me duartrokitje të gjata. Në skenë u ngjitën edhe solistët e njohur Kaltrina Miftari, Elona Sadiku, Flaka Goranci, André Khamasmie dhe Simon Robinson, të cilët me interpretimet e tyre sollën një dimension të veçantë artistik.
Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë nga Kosova, përfshirë zëvendësministren e Kulturës Nora Arapi Krasniqi dhe shefen e kabinetit Shkurte Aliu, duke dëshmuar mbështetjen e shtetit për promovimin e artit në arenën ndërkombëtare.
Programi artistik përfshiu edhe veprën e njohur “Requiem für Mignon, op. 98b”, e cila u interpretua me profesionalizëm të lartë dhe u mirëprit nga publiku berlinez.
Ky debutim në Berlin përbën një hap të rëndësishëm për Filharmoninë e Kosovës, duke e afirmuar atë si një ambasadore të denjë të kulturës dhe artit kosovar në skenën ndërkombëtare, transmeton rtk.




