Në prag të ndeshjes miqësore kundër Ukrainës në Valencia, kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, dhe trajneri Sylvinho folën për mediat për gjendjen e ekipit pas eliminimit nga Polonia në kualifikueset e Botërorit 2026.
Gjimshiti nuk e fshehu zhgënjimin për humbjen ndaj Polonisë, por dha një mesazh për të parë përpara.
“Humbja në Poloni prishi bukurinë që kemi bërë tre vitet e fundit, por jemi pozitivë. Në këto momente mund të duket negative, por duhet ta kthejmë në pozitivitet. Nesër është një ndeshje e fortë, ndaj duhet të japim 100% për 90 minuta”, tha Gjimshiti.
Ai vlerësoi gjithashtu ekipin ukrainas, duke theksuar se ka lojtarë kyç dhe me eksperiencë, të cilët nuk duhet të lihet hapësirë.
“Ukraina ka lojtarë të mirë, të cilët kanë luajtur edhe në Kupën e Botës më parë. Ne duhet të jemi të përqendruar dhe të japim më të mirën në fushë. Disa lojtarë duhet të tregojnë se janë gati të veshin fanellën dhe të luajnë”, tha ai.
Trajneri Sylvinho, nga ana e tij, shtoi se ende nuk e ka vendosur formacionin e ndeshjes, por do të japë mundësinë për të parë disa lojtarë që nuk kanë pasur minuta më parë.
“Është e vështirë, kemi ndeshje shumë të rëndësishme nesër, por mund të flas për tre vitet e fundit. Duhet të jem i sinqertë, meqë kemi folur për kualifikueset e Botërorit: viti i fundit nuk ishte i lehtë për të arritur këtu në ndeshjen me Poloninë. Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por kemi bërë më të mirën dhe kishim fatin të luanim një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Nuk kishim rezultatin që dëshironim, edhe pse paraqitja ishte e mirë. Nuk kam asgjë për t’u thënë djemve – ishte një ndeshje e mirë. Kështu është futbolli: kur humb, duket se gjithçka shkon gabim, por nuk është ashtu. Nesër na pret një ndeshje tjetër ndaj një ekipi të fortë përfaqësues. Ata janë të mërzitur si ne, por duhet të luajmë 90 minuta dhe ta përgatisim ndeshjen shumë mirë. Përgatitja është e vështirë, sidomos me emra të rinj në ekip. Ishte sfidë të vinim këtu pas rezultatit kundër Polonisë. Por si ne, edhe Ukraina ka situatën e vet të vështirë. Kur vjen të luash ndeshjen më të rëndësishme, vëmendja është maksimale, por pas pak ditësh situata ndryshon dhe duhet përsëri të përgatitesh. Unë nuk besoj te ndeshjet miqësore. Kur hyn në fushë, duhet të jesh i përqendruar dhe të japësh 100% për 90 minuta. Disa lojtarë thonë “trajner, mund të luaj 45 ose 90 minuta”. Duhet të vlerësosh situatën, por unë nuk besoj të ndryshoj 5-6-7 lojtarë – kështu jam unë. Zëvendësimet janë një plan i mundshëm nëse gjërat funksionojnë. Duhet të organizojmë skuadrën si zakonisht, por të kemi parasysh 2-3, ndoshta 4 zëvendësime. Rezultati i fundit ishte trishtues, por performanca ishte e mrekullueshme. Po rritemi si përfaqësuese. Disa lojtarë duhet të tregojnë përfaqësueses dhe tifozëve që janë gati të veshin fanellën dhe të japin maksimumin. Ky është motivimi për ndeshjen e nesërme. Besojmë tek lojtarët tanë – janë të mrekullueshëm dhe teknikisht të kompletuar. Nuk e di nëse ndeshja do të jetë e hapur, por do të japim gjithçka,” tha Sylvinho.
Të dy theksuan rëndësinë e ndeshjeve miqësore si një mundësi për të testuar lojtarët dhe për të rikuperuar motivimin e ekipit pas eliminimit nga play-off-i i Botërorit. Gjimshiti dhe Sylvinho ishin në një duke u shprehur se skuadra duhet të fokusohet tek performanca në fushë, duke marrë të mirat nga eksperiencat e kaluara dhe duke u përgatitur për sfidat e ardhshme.
Nga grumbullimi mungojnë Arlind Ajeti dhe Ernest Muçi për dëmtime, ndërsa Ylber Ramadani ka marrë leje për pritjen e fëmijës së dytë, ndërsa për gjendjen e Jasir Asanit nuk është marrë ende një vendim.
Kuqezinjtë do të ndeshen të martën në orën 20:45 me ukrainasit, në një sfidë që shërben për të rikuperuar ritmin dhe për të testuar lojtarë të rinj.
Kombëtarja vjen nga humbja 1-2 kundër Polonisë në Varshavë, gjë që i nxori jashtë garës për një vend në grupet e Kupës së Botës 2026, turne që do të zhvillohet këtë verë nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada, transmeton euronewsal.




