Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për Kosovën dhe Shqipërinë në prag të ndeshjeve të rëndësishme që zhvillohen sonte.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u ka uruar fat të dyja përfaqësueseve, duke i inkurajuar që të arrijnë sukses dhe të shkruajnë histori. “Ju uroj fat, uroj që të bëni histori dhe të kualifikoheni këtë vit në Kupën e Botës”, ka shkruar ajo, duke shoqëruar mesazhin me fotografi ku lexohej “Forca Kosova” dhe “Forca Shqipëria”.

Kombëtarja e Kosovës në futboll përballet sonte me Sllovakinë në Bratislavë, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së saj. Dardanët synojnë një fitore që do t’i afronte më shumë drejt kualifikimit në FIFA World Cup 2026.
Në anën tjetër, edhe Shqipëria ka një përballje të rëndësishme ndaj Polonisë, duke kërkuar një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat për sukses në këtë rrugëtim kualifikues.
Mbështetja nga figura të njohura si Rita Ora pritet të jetë një shtysë shtesë për lojtarët, të cilët do të japin maksimumin në fushë për të përfaqësuar denjësisht vendet e tyre, transmeton rtk.




