Ministrja e Kulturës e Kosovës, Saranda Bogujevci, zhvilloi një vizitë në stendën e Shqipërisë në kuadër të Panairit të Librit në Leipzig. Prania e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare përbën një dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë kulturor dhe përkushtimit të përbashkët për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pjesëmarrja e përbashkët në panair thekson rëndësinë e krijimit të urave të qëndrueshme bashkëpunimi në fushën e letërsisë, me fokus të veçantë në përkthimin dhe përhapjen e veprave shqipe në hapësirën gjermanofolëse. Ky angazhim i përbashkët synon të rrisë praninë e autorëve shqiptarë në tregun ndërkombëtar të librit dhe të forcojë dialogun kulturor ndërmjet vendeve.
Nëpërmjet iniciativave të tilla, Shqipëria dhe Kosova dëshmojnë vullnetin e tyre për të promovuar identitetin e përbashkët kulturor dhe për të kontribuar në pasurimin e skenës letrare evropiane.
“Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan”, ishte aktiviteti i parë dedikuar kulturës shqiptare. Paneli mblodhi emra të njohur të skenës letrare, si Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi, të cilat ndanë perspektivat e tyre mbi ndërthurjen e letërsisë me zhvillimet politike dhe historike në rajon. Diskutimi vuri në pah rolin e letërsisë si një mjet reflektimi dhe reagimi ndaj proceseve shoqërore, si dhe rëndësinë e saj në ndërtimin dhe sfidimin e kujtesës kolektive./AK, transmeton gtema.




