POSTIMET E FUNDIT

Shoqata Akademike në RMV shënon 7 Marsin dhe ngre shqetësime për arsimin e lartë

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Shoqata Akademike për Shkencë dhe Art në RMV organizoi një manifestim kulturoro-shkencor, ku u diskutua për rëndësinë e arsimit, rolin e mësuesit në shoqëri, si dhe sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor.

Kryetari i shoqatës, profesor doktor Hasan Jashari, një personalitet i njohur i cili për dekada ka kontribuar në fushën e arsimit, theksoi se kjo datë ka një rëndësi të veçantë për gjithë shoqërinë. Sipas tij, 7 Marsi është një simbol i përkushtimit dhe sakrificës së mësuesve ndër breza.

“Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit e shënojmë 7 Marsin, sepse vlera e kësaj dite është shumë e madhe dhe e rëndësishme. Mësuesit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rol vendimtar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj”, u shpreh Jashari gjatë fjalës së tij.

Megjithatë, përveç atmosferës festive, gjatë manifestimit nuk munguan as kritikat dhe shqetësimet për zhvillimin e arsimit në vend. Shoqata Akademike për Shkencë dhe Art kishte publikuar edhe një kumtesë zyrtare, ku shprehej qartë mospajtimi me ligjin e ri për arsimin e lartë, duke vlerësuar se disa nga ndryshimet e propozuara nuk i shërbejnë përmirësimit të cilësisë në universitetet e vendit.

Profesor Xhemaludin Idrizi, gjatë diskutimit të tij, theksoi se nuk është i kënaqur me ecurinë e përgjithshme të zhvillimit të arsimit. Ai bëri apel që institucionet shtetërore të investojnë më shumë në dije, kërkim shkencor dhe përmirësimin e kushteve për arsimtarët dhe studentët.

“Pa investime serioze në arsim dhe në zhvillimin e dijes, është e vështirë të ndërtohet një shoqëri e përparuar. Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar”, tha Idrizi.

Në përmbyllje të aktivitetit, Shoqata Akademike për Shkencë dhe Art bëri edhe promovimin dhe shpërndarjen e librit “Analizë kritike e programeve dhe librave shkollorë”. Sipas autorëve të këtij botimi, analiza ka evidentuar një sërë mangësish dhe gabimesh në programet dhe tekstet shkollore që përdoren aktualisht.

Qëllimi i këtij libri, sipas autorëve, është të nxisë debat publik dhe profesional për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Maqedoninë e Veriut, si dhe të kontribuojë në reformimin e programeve mësimore në përputhje me standardet bashkëkohore.

Manifestimi përfundoi me mesazhin se respekti për mësuesin dhe përkushtimi për një arsim më cilësor duhet të jenë angazhime të përbashkëta të institucioneve, akademikëve dhe gjithë shoqërisë, transmeton tvkoha, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB