POSTIMET E FUNDIT

Peleshi: Emigrantët tanë në Greqi dhe minoriteti grek, ura të sigurta miqësie e bashkëpunimi

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi priti sot në një takim ambasadoren e Greqisë në Shqipëri, Lamprini Komini.

Gjatë bisedës u vlerësua niveli i lartë i marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e paqes.

Në një reagim në rrjetet sociale, Peleshi theksoi rolin e Greqisë si partner strategjik dhe mbështetëse e vendosur e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Greqia është një vend fqinj, mik i Shqipërisë. Ajo është partnerja jonë në NATO dhe në kontributet për mbrojtjen e paqes, si dhe një mbështetëse e vendosur e anëtarësimit tonë në BE”, theksoi Peleshi.

Ai shtoi se lidhjet historike dhe kulturore, si dhe roli i emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe i minoritetit grek në Shqipëri, krijojnë ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe miqësie mes dy popujve.

“Me Greqinë na lidh jo vetëm e kaluara e përafërt historike dhe ngjashmëritë e thella kulturore. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri përbëjnë gjithashtu ura të sigurta miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve e popujve tanë për të sotmen e të nesërmen”, nënvizoi Peleshi, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB