Ndërsa lindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përballet me stuhi të forta dimërore, në Zvicër kjo javë ka nisur me mot pranveror dhe temperatura të pazakonta për këtë periudhë të vitit. Falë sistemit të presionit të lartë të quajtur Hoch Heiko, ajri i ngrohtë nga Sahara po depërton drejt vendit përmes Spanjës dhe Francës, duke sjellë mot të butë dhe me diell.
Deri në 23 gradë në Ticino
Sipas parashikimeve të MeteoSchweiz, të martën vranësirat do të shpërndahen gradualisht, fillimisht nga rajoni i Bernës drejt veri-perëndimit, ndërsa pasdite edhe në pjesët qendrore të vendit do të mbizotërojë moti me diell. Në zonat e ulëta në anën veriore të Alpeve temperaturat do të lëvizin mes 13 dhe 16 gradë Celsius.
Temperatura edhe më të larta priten në kantonin e Ticinos, i njohur si “dhoma e diellit” e Zvicrës. Në Bellinzona priten deri në 23 gradë, ndërsa në Lugano rreth 19 gradë Celsius.
Rekordi i parë mbi 22 gradë për këtë vit u regjistrua të martën pasdite në stacionin matës të Biasca, ku në orën 13:20 u shënuan 22.8 gradë. Edhe në Magadino/Cadenazzo temperatura arriti në 22 gradë në të njëjtën orë.
Mot i butë gjatë gjithë javës
Edhe e mërkura do të jetë kryesisht me diell, megjithëse paradite në zonën e Mittellandit do të ketë mjegull, e cila pritet të shpërndahet gjatë ditës.
Kufiri i mjegullës do të jetë mes 500 dhe 700 metrave mbi nivelin e detit. Pasditja do të sjellë temperatura rreth 15 gradë, ndërsa në rajonin e Bazelit dhe në Luginën e Rinit pranë Chur-it mund të arrijnë deri në 18 gradë, transmeton 20min.ch. Edhe e enjtja dhe e premtja do të mbeten të buta. Të enjten në mëngjes temperaturat në zonat e ulëta do të lëvizin mes 1 dhe 5 gradë, ndërsa pasdite do të ngjiten në rreth 17 gradë. Gjatë ditës pritet të forcohet era jugperëndimore. Të premten do të mbizotërojë moti me diell, por në mbrëmje nga perëndimi do të afrohen re, me mundësi reshjesh gjatë natës drejt së shtunës.
Në përgjithësi, Zvicra po përjeton një javë tipike pranverore, me temperatura të buta dhe shumë orë me diell – një kontrast i fortë me kushtet e ashpra dimërore në pjesë të tjera të botës, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch




